Kafeja është cilësuar për një kohë të gjatë si shkaktare e shumë problemeve shëndetësore si: ndalimin e rritjes, sëmundjet e zemrës apo kancerit. Disa studime shkencore të kohëve të fundit kanë zbuluar se kafeja ndoshta nuk është burim problemesh shëndetësore siç kemi besuar deri tani. Prandaj natyrshëm lind pyetja: Kafeja është e mirë apo e keqe? Përgjigjia më e mirë që mund t’ju japim është se për disa persona përfitimet shëndetësore të kafesë i tejkalojnë rreziqet.

Shumë shkencëtarë anembanë botës kanë studiuar efektet e kafesë si edhe pasojat e konsumimit të saj. Ata nuk kanë gjetur ndonjë lidhje midis konsumimit të kafesë dhe rritjes së rrezikut për kancer apo sëmundjet e zemres. Në fakt, shumica e studimeve kanë zbuluar se vdekjet e shkaktuara nga sëmundjet kardiovaskulare janë më të rralla tek personat që konsumojnë kafe. Ky fakt gjithsesi, mund të mos jetë i vërtetë për grupmoshat e reja, të cilat konsumojnë sasi të larta kafeje prandaj thuhet se është e rëndësishme të konsumohet, por me sasi të caktuara.

Po përse kafeja po shihet me një sy tjetër vetëm tani? Kjo sepse studimet e mëparshme nuk kanë marrë në konsideratë faktin se sjelljet me rreziqe të larta shëndetësore si pirja e duhanit apo mungesa e fiskulturës janë më të zakonshme tek ata që konsumojnë sasi të larta kafeje gjatë tërë kohës. Ky fakt ka bërë që kafeja të marrë përsipër edhe rreziqet e lidhura me këto sjellje.

Studimet kanë zbuluar se kafeja mund të ketë përfitime shëndetësore duke përfshirë këtu mbrojtje nga sëmundja Parkinson, tipi II i diabetit, sëmundjet e mëlçisë dhe kanceri i mëlçisë. Gjithashtu është vëzhguar se pirja e kafesë përmirëson funksionimin kognitiv dhe zvogëlon rrezikun për depresion.

Kafeja dhe sëmundja Parkinson

Shkencëtarët në USA kanë bërë një studim që vlerëson lidhjen e konsumimit të kafesë me rreziqet për shfaqjen e sëmundjes së Parkinsonit. Autorët e studimit kanë arritur në konkluzionin se konsumimi i lartë i kafesë dhe kafeinës është e lidhur me një ulje të madhe të incidencës së sëmundjes Parkinson. Për më tepër, kafeina që gjendet në kafe mund të ndihmojë kontrollin e kordinimit tek personat që vuajnë nga Parkinson. Ky fakt bazohet tek një studim i bërë në institutin shkencor të McGill University Health Centre (RI MUHC), që është publikuar në revistën Neurobiology.

Kafeja dhe diabeti

Kafeja mund t’ju mbrojë nga tipi II i diabetit. Shkencëtarët në UCLA kanë identifikuar se pirja e kafesë rrit nivelin e proteinës së plazmës, globulinë (SHBG). SHBG kontrollon aktivitetin biologjik të hormoneve seksuale: testosteronit dhe estrogjenit. Këto hormone luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tipit II të diabetit. Dr Simin Liu, një ndër autorët e këtij studimi, tha se tipi II i diabetit dhe konsumimi i kafesë kanë një lidhje inverse, që do të thotë se rreziku për diabet të tipit II ulet me rritjen e konsumimit të kafesë.

Shkencëtarë në Harvard Schoool of Public Health (Shkolla e Shëndetit Publik në Harvard) gjithashtu kanë mbledhur të dhëna nga tri studime. Në këto studime ishte vlerësuar dieta e pjesmarrësve çdo 4 vite duke përdorur pyetësorë. Personat të cilët vuanin nga tipi II i diabetit, plotësonin edhe disa pyetësorë të tjerë. Në total, 7269 pjesmarrës kishin tipin II të diabetit. Studimi zbuloi se pjesmarrësit të cilët kishin shtuar konsumimin e kafesë më shumë se një filxhanë në ditë gjatë një periudhë 4 vjeçare kishin zvogëluar rrezikun për diabet të tipit II me 11% krahasuar me personat të cilët nuk kishin ndryshuar sasinë e konsumimit të kafesë.

Kafeja dhe sëmundjet e mëlçisë

Konsumimi i rregullt i kafesë është i lidhur edhe me reduktimin e rrezikut për kolangitin sklerotizant primar, një sëmundje e rrallë autoimune e kanaleve biliare të mëlçisë. Për më tepër, konsumimi i kafesë mund të zvogëlojë edhe incidencën e cirrozës së mëlçisë me 22% tek alkolistët. Këto të dhëna janë raportuar nga një studim i kryer në Kaliforni, në qendrën Kaiser Permanente Medical Care Program. Autorët e studimit arritën në konkluzionin se rezultatet mbështesnin hipotezën që kafeja ka përbërës të cilët mbrojnë nga cirroza, sidomos ajo e shkaktuar nga alkooli. Një tjetër studim i publikur në revistën Hepatology sugjeron se konsumimi i kafesë është i lidhur më uljen e rrezikut të vdekjes nga cirroza e mëlçisë. Autorët e këtij studimi sugjerojnë se pirja e dy ose më shumë filxhanë kafe në ditë redukton rrezikun e vdekjes nga cirroza e mëlçisë me 66%. Një tjetër studim i publikuar në po të njëjtën revistë tregon se pirja e kafesë decaf (pa kafeinë) zvogëlon nivelet e enzimave të mëlçisë, gjë që sugjeron se përfitimet e kafesë nuk janë të lidhura me kafeinën që merret nëpërmjet saj.

Kafeja dhe kanceri i mëlçisë

Shkencëtarë italianë kanë gjetur se konsumimi i kafesë zvogëlon rrezikun për kancer të mëlçisë me rreth 40%. Për më tepër, disa rezultate sugjerojnë se pirja e më shumë se tre filxhanë kafe në ditë zvogëlon rrezikun e kancerit me më shumë se 50%. Autori kryesor i këtij studimi, Dr Carlo La Vecchia, nga Istituto di Ricerche Farmacologiche Mario Negri në Milano tha se rezultatet e tyre konfirmonin studime të mëparshme se kafeja është e shëndetshme sidomos për mëlçinë.

 

Kafeja dhe shëndeti i zemrës

Shkencëtarët në Beth Israel Deaconess Medical Center (BIDMC) dhe Harvard School of Public Health kanë arritur në përfundimin se pirja e kafesë mbron nga infarkti. Ata gjetën se personat që konsumonin 4 filxhanë (8oz) në ditë zvogëlonin rrezikun për infarkt me 11%.

Gjithsesi, këto studime kanë zbuluar edhe disa rreziqe. Konsumimi i lartë i kafesë së pafiltruar (të zier apo espresso) është lidhur me rritje relativisht të vogla të nivelit të kolesterolit. Gjithashtu, pirja e më shumë se dy filxhanë kafe (të madhësisë rreth 8-16 oz) mund të rrisi rrezikun për sëmundjet e zemrës tek njerëzit që kanë një mutacion gjenetik specifik, por që është mjaft i zakonshëm dhe ngadalëson tretjen e kafeinës në trupin e njeriut. Kështu që, aftësia e trupit tuaj për të metabolizuar kafenë mund të ndikojë tek rreziqet tuaja shëndetësore.

Edhe pse kafeja mund të ketë më pak rreziqe sesa përfitime, mbani mend se pijet e tjera si qumështi apo disa lëngjet e frutave përmbajnë lëndë ushqyese që kafeja nuk i ka. Gjithashtu, duke i shtuar qumësht dhe sheqer kafesë shtoni më shumë yndyrë dhe kalori. Disa forma të kafesë arrijnë mbi 500 kalori. Gjithsesi, duke ditur përfitimet e konsumimit të kafesë tani mund ta shijoni kafenë tuaj të mëngjesit, madje disa kafe të tjera në ditë.

COPYRIGHT: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Detina Zalli dhe Kristjana Frangaj (Cornell University-Department of Molecular Biology and Genetics).

 

REFERENCAT:

  1. Changes in coffee intake and subsequent risk of type 2 diabetes: three large cohorts of US men and women, Shilpa N. Bhupathiraju, et al., Diabetologia, DOI 10.1007s00125-014-3235-7, published online April 24, 2014.
  2. McGill University Health Centre. "The Benefits Of Caffeine On Motor Impairment In Parkinson's Disease." Medical News Today.
  3. Coffee consumption reduces risk of liver cancer, Dr. Carlo La Vecchia, Clinical Gastronenterology and Hepatology, Published 22 October 2013.
  4. Coffee Consumption is Associated with Reduced Risk of Primary Sclerosing Cholangitis but not Primary Biliary Cirrhosis"; Craig Lammert, and others; presented at Digestive Disease Week, 18-21 May 2013, Orlando, Florida.
  5. Nordqvist, Christian. "Coffee Protects Alcohol Drinkers From Liver Disease." Medical News Today.
  6. Ellis, Marie. "Regular coffee or decaf? Drinking both may benefit the liver." Medical News Today.
  7. Paddock, Catharine. "Coffee In Moderation May Benefit Heart Slightly." Medical News Today.
  8. "Habitual Coffee Consumption and Risk of Heart Failure: A Dose-Response Meta-Analysis"; Elizabeth Mostofsky, Megan S. Rice, Emily B. Levitan, and Murray A. Mittleman; Circ Heart Fail. published online before print 26 June 2012.