Një studim i ri i universitetit të Miçigan konfirmon atë çka dyshohej prej kohësh: ushqimet shumë të përpunuara si çokollata, pica apo patatet e skuqura krijojnë varësi. Studimi me një kampion prej 504 studentësh tregoi se pica kryesonte listën e këtyre ushqimeve. Ky studim është ndër të parët që shqyrton në mënyrë specifike listën e ushqimeve që implikohen në këtë varësi. Ndonëse zbulimet nuk do t’ju bëjnë të ndiheni më mirë teksa kërkoni dhe për koren e fundit të picës së paku do dini arsyen që fshihet pas “dashurisë suaj”.

Në përgjithësi ushqimet e përpunuara përmbajnë sasi të larta yndyrash dhe karbohidratesh dhe gjithashtu përthithen më shpejt. Në mënyrë të ngjashme me efektin e drogës në sistemin nervor këta dy faktorë bëhen shkak i tejnxitjes së zonave të trurit që dërgojnë sinjale për përsëritjen e veprimit në mënyrë që të merret një efekt i njëjtë që interpretohet si pozitiv. Këto ushqime shkaktojnë ndryshime në mekanizmin sekretimit të dopaminës, neutrotransmetues që kontrollon lëvizjet, reagimet emocionale dhe aftësinë e të ndjerit dhimbje ose kënaqësi.

Substancat që krijojnë varësi rrallë përdoren në gjendje natyrale, të pamodifikuara apo të përziera me substanca të tjera në mënyrë që të rrisin fuqinë e veprimit. Për shembull rrushi përpunohet dhe jep verë ndërsa opiumi merret nga lulëkuqet. Një proces i ngjashëm po ndodh edhe me ushqimet që konsumojmë.

Një arsye tjetër që shpjegon kryesimin e picës në ushqimet që krijojnë varësi është edhe më e thjeshtë se e para, është thjesht djathi pasi përmban kaseinë, një proteinë që gjendet në të gjitha produktet e qumështit. Kur tretet kjo kaseina çliron kazomorfinë e cila stimulon receptorët opioid, të përfshirë në kontrollin e dhimbjes, motivim dhe varësi.

Në ditët e sotme adoleshentët konsumojnë mesatarisht 230 kalori më tepër çdo ditë krahasuar me kohën kur nuk konsumohej pica nga kjo grupmoshë, ndërkohë obeziteti po shndërrohet në një epidemi. Ky studim hedh një hap të rëndësishëm drejt identifikimit të ushqimeve dhe përbërësve që nxisin varësi. Kjo mund të ndihmojë për të ndryshuar mënyrën sesi menaxhojmë trajtimin e obezitetit. Ndoshta mënyra më fitimprurëse nuk është ndalimi kategorik dhe moskonsumimi i sforcuar i këtyre ushqimeve por adaptimi i metodave që përdoren në terapitë për lënien e duhanit alkoolit apo drogës.

Referencat:

  • http://www.iflscience.com/health-and-medicine/study-finds-pizza-highly-addictive
  • http://www.sciencedaily.com/releases/2015/02/150220110126.htm
  • http://www.livescience.com/49490-kids-pizza-consumption.html
  • Imazhi i adaptuar nga: http://www.dailymail.co.uk/health/article-2122131/Sophie-Ray-19-risks-health-eating-Margherita-pizza-EIGHT-YEARS.html

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.