Anemia është një problem global i shëndetit publik me pasoja të mëdha në shëndetin e njeriut si dhe në zhvillimin social dhe ekonomik të një vendi. Një gjendje shumë lehtë e identifikueshme me anë të një analize gjaku, por shumë njerëz nuk janë të ndërgjegjësuar për këtë problem. Disa njerëz e zbulojnë atë kur shkojnë të dhurojnë gjak dhe stafi mjekësor identifikon se hemoglobina e tyre është e ulët, njerëz të tjerë kur kryejnë analiza për probleme të tjera dhe ndër to zbulojnë edhe aneminë, pastaj ka dhe të tjerë që e kuptojnë shumë vonë. Një hemoglobinë e ulët mund të jetë thjeshtë një problem i përkohshëm (që mund të largohet me konsumimin e ushqimeve të pasura me hekur ose marrjen e multivitaminave që përmbajnë hekur), por mund të jetë edhe një shenjë paralajmëruese për trajtim të mëtejshëm. Rrjedhja e veprimeve: diagnozë e hershme – bazë për prognozë – mos përkeqësim situate – marrja e një trajtimi adekuat – kurim. Anemia e patrajtuar ka pasoja serioze duke filluar që nga ulja e kualitetit të jetës, rritja e sëmundshmërisë e deri në vdekje.

Termi ‘"Anemi" ka prejardhje nga greqishtja dhe do të thotë "pa gjak". Anemia mund të përkufizohet në disa mënyra. Përkufizimi i parë: "Anemia është një gjendje mjekësore që rezulton nga pakësim i masës totale të eritrociteve në qarkullim". Për arsye se anemia mund të ndodhë në qoftë se a) trupi mund të prodhojë vetëm pak eritrocite ose eritrocitet e prodhuara të mos funksonojnë në mënyrë korrekte, b) trupi shkatërron eritrocitet ose c) si pasojë e humbjes së gjakut nga ndonjë hemoragji e madhe, ku ju humbni eritrocitet më shpejt se sa ato të mund të zëvendësohen.

Përkufizimi i dytë: "Anemia është një gjendje mjekësore e cila ndodh kur gjaku nuk është në gjëndje të ofroj sasi të mjaftueshme të oksigjenit në të gjithë trupin", kjo gjendje ndodh nga pakësimi i sasisë së hemoglobinës (Hb) në gjak, e cila zvogëlon kapacitetin transportues të oksigjenit, me ose pa pakësim të numrit të eritrociteve qarkulluese në gjak. Si rezultat i kësaj gjendje do të ketë pakësim të ngjyrës së gjakut me pasojë zbehje të lëkurës dhe mukozave. Nga ana diagnostike volumi total i gjakut ngelet i njejtë, veçse do të pakësohet volumi i eritrociteve (hematokriti eritrocitar) dhe do të shtohet ai i plazmës, ndërsa volumi i dy serive të tjera është i pandryshueshme.

Figura 1. Pamje e një strisho gjaku të një individi normal dhe të një individi me anemi

Anemia mund të jetë rezultat i një sërë shkaqesh të izoluara, por më shpesh si bashkëveprim i tyre. Ndër faktorët riskues të anemisë renditim:

  • një dietë e mangët në vitamina të caktuara – duke pasur një dietë ushqimore që është vazhdimisht e ulët në hekur, vitaminë B-12 dhe folate, rrit rrezikun për anemi
  • çrregullime të zorrëve – duke pasur një çrregullim të zorrëve që ndikon në përthithjen e ushqyesve, të tilla si: sëmundja celiake apo e Crohn – ju vë në rrezik për anemi
  • menstruacionet –  në përgjithësi, femrat që nuk kanë përjetuar menopauzë kanë një rrezik më të madh për anemi si pasojë e mungesës së hekurit sesa gratë  me postmenopauzë. Kjo për shkak se menstruacionet shkaktojnë humbjen e qelizave të kuqe të gjakut. Gjakderdhjet menstruale kur janë të zgjatura ose gjakderdhjet gjatë lindjes te femrat që kanë shtatzëni të shumëfishtë
  • shtatëzania –  nëse ju jeni shtatzënë dhe nuk merrni multivitamina me acid folik, ju keni predispozita për të zhvilluar anemi
  • sëmundje kronike – nëse ju keni kancer, ulcer, hemorroide, gastrit, dështime të veshkave ose ndonjë gjendje tjetër kronike – ju mund të jeni në rrezik për anemi. Humbja kronike e gjakut në sasi të vogël por e vazhdueshme brenda trupit tuaj mund të pakësojë hekurin, duke çuar në anemi
  • histori familjare –  nëse familja juaj ka një histori të një anemie të trashëguar, të tilla si anemia me qeliza në formë drapri (sickle cell anemia), ju gjithashtu mund të jeni në rrezik për zhvillim të anemisë
  • faktorë të tjerë – një histori me infeksione të caktuara, sëmundje të gjakut dhe çrregullime autoimune, alkoolizëm, ekspozimi ndaj kimikateve toksike si dhe përdorimi i disa barnave antiinflamatore si aspirina ose ibuprofeni, mund të ndikojnë në prodhimin e eritrociteve dhe si rezultat në anemi
  • mosha – njerëzit mbi moshën 65 vjeç kanë rrezik në rritje për të zhvilluar anemi
  • problemeve me palcën e kockave dhe qelizën burimore –  qeliza prej të cilës krijohen të gjitha qelizat e tjera.

 

Mos trajtimi i anemisë mund të shkaktojë shumë probleme shëndetësore, të tilla si:

  • lodhje e madhe – kur anemia është mjaft e rëndë, ju mund të jeni aq të lodhur sa nuk mund të kryeni detyrat e përditshme
  • komplikime gjatë shtatëzanisë – gratë shtatëzëna me anemi të shkaktuar nga mungesa e foljateve mund të kenë më shumë gjasa për të pasur komplikime, të tilla si lindja e parakohshme
  • probleme me zemrën – anemia mund të çojë rrahje të shpejta dhe të çrregullta të zemrës (aritmi). Kur ju jeni anemik zemra juaj duhet të pompojë më shumë gjak për të kompensuar mungesën e oksigjenit në gjak. Kjo mund të çojë në një zgjerim të zemrës apo dështim të zemrës
  • vdekje – disa anemi të trashëguara, të tilla si anemia me qeliza në formë drapri (sickle cell anemia), mund të jenë serioze dhe të çojnë në komplikacione të rrezikshme për jetën. Humbja e një sasie të madhe gjakut në mënyrë të shpejtë, rezulton në anemi akute, të rëndë dhe mund të jetë fatale për jetën.

 

Shenjat dhe simptomat e anemisë dallojnë në varësi të shkaktarit të këtij problemi, megjithatë shenja të përgjithshme janë: dobësi, lodhje, lëkurë e zbehtë, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje në gjoks, gulçime, rrahje të shpejta dhe të çrregullta të zemrës, dhimbje koke (në pjesën e pasme të saj), marramendje, duar dhe këmbë të ftohta, shikim miza – miza, zhurmë në vesh dhe probleme konjitive (njohëse ndaj gjërave sendeve, të mbajtur mend), etj.

 

Ka më shumë se 400 tipe të anemisë, të cilat janë ndarë në tri grupe:

  1.  Anemia e shkaktuar nga humbja e gjakut – Gjatë gjakderdhjeve mund të humbasim shumë eritrocite, të cilat shpesh mund të humbnin ngadalë dhe gjatë një periudhe të gjatë kohore, duke mos u vënë re. Kjo lloj gjakderdhje kronike zakonisht rezulton nga:
  • kushtet gastrointestinal, të tilla si ulcera, hemorroidet, gastri dhe kanceri
  • përdorimi i disa barnave anti inflamatore jo steroidal si aspirina ose ibuprofen, të cilët mund të shkaktojnë gastrit dhe ulcer
  • menstruacionet dhe gjatë lindjeve të fëmijëve, sidomos nëse gjakderdhja menstruale është e tepruar dhe nëse ka shtatzëni të shumëfishtë
  1. Anemia e shkaktuar nga çrregullime në prodhimin e eritrociteve – në këtë lloj të anemisë, trupi mund të prodhojë shumë pak eritrocite apo eritrocite e prodhuara mund të mos funksionojë si duhet. Kjo për shkak të qelizave jo normale të kuqe të gjakut, apo punës jo të duhur të eritrociteve nga mungesa e mineraleve dhe vitaminave të nevojshme. Kushtet që lidhen me këto shkaqet të anemisë përfshijnë, tipet e anemisë së mëposhtme:
  1. Anemia me qeliza në formë drapri – kjo është një sëmundje e trashëguar dhe shpesh serioze, e shkaktuar nga forma të parregullta të hemoglobinës të cilat detyrojnë eritrocitet të marrin një formë gjysmë-hënore (drapri). Eritrocitet janë në formë drapri për shkak të një defekti gjenetik. Ato prishen shpejt, organet e trupit nuk furnizohen me oksigjen. Eritrocitet në formë drapri mund të mbeten mbërthyer në enët e vogla të gjakut, duke shkaktuar dhimbje. Në SHBA kjo anemi prek kryesisht afrikano-amerikanët dhe amerikanët hispanike.
  2. Anemia nga mungesa e hekurit – pa hekur të mjaftueshëm, trupi nuk mund të prodhojë hemoglobinë të mjaftueshme për eritrocitet. Hekuri është i rëndësishëm sepse ndihmon që ju të merrni oksigjen të mjaftueshëm në të gjithë trupin tuaj. Hemoglobina mbart oksigjen në trupin tuaj. Nëse ju nuk keni hekur të mjaftueshëm trupi juaj prodhon më pak eritrocite – më pak hemoglobinë dhe ju nuk mund të merrni oksigjen të mjaftueshëm. Mungesa e hekurit është shkaku më i zakonshëm i anemisë. Kjo lloj anemie është më e shprehur te femrat të cilat pinë duhan, hanë ushqim të paktë me hekur dhe kanë periudha të ashpra menstruale. Po ashtu, kjo është një sëmundje që shfaqet shpesh te vegjetarianët, pasi mishi i kuq është burimi më i pasur i hekurit nga ushqimi. Simptomat e pacientëve me mungesë hekuri janë: lodhje, rrahjet e përshpejtuar e zemrës, frymëmarrje të shkurtra dhe lëkurë e zbehur. Nëse anemia është më e ashpër, pacienti mund shfaqi dhimbje në gjoks, dhimbje koke ose dhimbje e këmbëve. Në raste të veçanta mungesa e hekurit mund të shkaktojë ndjenjë djegje në gjuhë, thatësi në gojë dhe fyt, flokë të brishta, thonj të brishtë në formë të lugët dhe uri e tepruar për ushqime të caktuara.

Çfarë e shkakton aneminë me mungesë hekuri? Anemia me mungesë hekuri shkaktohet nga nivelet e ulëta të hekurit në trup. Ju mund të keni nivele të ulëta të hekurit për shkak të:

  • një dietë të varfër me hekur, sidomos tek foshnjet, fëmijët, adoleshentët, veganët dhe vegjetarianët
  • kërkesat metabolike gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji, që pakësojnë hekur në trup
  • gjakderdhje e madhe gjatë menstruacioneve
  • dhurimet e shpeshta të gjakut
  • mos përthithjes së hekurit nga trupin për shkaqe të tilla si sëmundja e Crohn-it ose heqja kirurgjikale e pjesës së stomakut ose zorrëve
  • gjakderdhjeve brenda trupit tuaj, kjo gjakderdhje mund të shkaktohet nga probleme të tilla si ulcerat, hemorroide ose kanceri. Kjo gjakderdhje mund të ndodhë me përdorimin e rregullt të aspirinës. Gjakderdhje brenda trupit është shkaku më i zakonshëm i anemisë me mungesë hekuri tek burrat dhe tek gratë pas menopauzës
  • disa barna, ushqime, dhe pije me kafeinë.
  1. anemia nga mungesa e vitaminave – mund të ndodhë kur ka mungesa të vitaminës B12 dhe foljateve. Këto dy vitamina janë të nevojshme për të ndërtuar eritrocitet. Kushtet që çojnë në anemi të shkaktuar nga mangësi vitaminash përfshijnë:
  • anemia megaloblastike – mungesë të vitaminës B12 ose foljate ose të dyjave
  • anemia pernicioze – përthithje e pakët e vitaminës B12 shkaktuar nga kushte të tilla si sëmundja e Crohn-it, një infeksion i zorrëve nga parazitët, heqje kirurgjikale e një pjese të stomakut ose zorrëve apo infeksion me HIV
  • mangësi nga dietat – ushqimi me pak ose aspak mish mund të shkaktojë një mungesë të vitaminës B12, ndërsa mbi ngrënia ose ngrënia shumë pak e perimeve mund të shkaktojë një mangësi në foljate
  • shkaqe të tjera për mungesë vitaminash: shtatzënia, medikamente të caktuara, abuzimi me alkoolin, sëmundjet e zorrëve, dhe sëmundja celiake.
  1. problemeve me palcën e kockave dhe/apo qelizën burimore – mund të parandalojnë trupin për të prodhuar mjaftueshëm eritrocite. Disa nga qelizat burimore që gjenden në palcën e kockave zhvillojnë eritrocite. Nëse qelizat burimore janë shumë të pakta, të dëmtuara, ose zëvendësohen me qeliza të tjera të tilla si qelizat e kancerit metastazik mund të rezultojë në anemi. Kushtet që çojnë në anemi të shkaktuar nga probleme me palcën e kockave dhe qelizën burimore përfshijnë:
  • anemia aplastike – ndodh kur ka një ulje të dukshme të numrit të qelizave burimore ose mungesë të këtyre qelizave. Anemia aplastike mund të trashëgohet, mund të ndodhë pa shkak të dukshëm, ose mund të ndodhë kur palca e kockave është dëmtuar nga medikamente, rrezatimi, kimioterapia apo infeksioni.
  • talasemia ndodh kur eritrocitet nuk mund të piqen dhe të rriten si duhet. Talasemia është një sëmundje e trashëguar që zakonisht prek njerëzit e Mesdheut, Afrikës, Lindjes së Mesme dhe atyre me të Azisë Juglindore. Kjo gjendje mund të shkoj nga një gjendje e butë në jetë-kërcënuese. Forma më e rëndë quhet anemi Cooley.
  • ekspozimi ndaj plumbit është toksik për palcën e kockave, duke çuar në më pak eritrocite. Tek të rriturit helmimi nga plumbi ndodh nga ekspozimi i tij lidhur me punën e tyre kurse tek fëmijët, për shembull, kur konsumojnë patatina të ngjyrosura.
  1. kushte të tjera shëndetësore – ndodh kur ka shumë pak hormonet të nevojshme për prodhimin e eritrociteve, të tilla si:
  • sëmundje të avancuar të veshkave
  • hipotiroidizmi
  • sëmundje të tjera kronike të tilla si kanceri, infeksion, lupus, diabeti dhe artriti reumatoid
  • HIV

 

  1. Anemia e shkaktuar nga shkatërrimi i qelizave të kuqe të gjakut – Kur eritrocitet janë të brishta dhe nuk mund të përballojnë stresin rutinë të sistemit të qarkullimit të gjakut, shkatërrohen më shpejt sesa palca e kockave që i krijon ato, duke shkaktuar anemi hemolitike. Anemia hemolitike mund të jetë e pranishme në lindje ose mund të zhvillohet më vonë. Ndonjëherë nuk ka asnjë shkak të njohur. Ndërsa ndër shkaqet e njohura të anemisë hemolitike mund të përmendim:
  • sëmundjet e trashëguara –  si anemia me qeliza në formë drapri dhe talasemia
  • faktorët stresues –  të tillë si infeksionet, droga, helmi nga gjarpri apo merimanga, apo nga ushqime të caktuara
  • toksina nga sëmundje të avancuar e mëlçisë ose sëmundje të veshkave
  • sulmi i papërshtatshëm nga sistemi imun (i quajtur sëmundja hemolitike e të porsalindurit, kur kjo ndodh në fetus tek një grua shtatzënë)
  • valvulat prostetike të zemrës, tumoret, djegie e rënda, ekspozimi ndaj kimikateve të caktuara, hipertension i rëndë, dhe çrregullime të koagulimit
  • në raste të rralla, një shpretkë e zmadhuar mund mbërthejë si në kurth eritrocitet dhe të çojë në shkatërrimin e tyre para kohe.

 

Diagnoza

Diagnostikimi i anemisë përfshin analizimin e disa procedurave:

  1. Historia mjekësore – mjeku juaj mund të ju pyes në lidhje me historinë tuaj personale mjekësore dhe të familjes tuaj, ato do të jenë një bazë për diagnozën e anemisë. Mënyra më e shpejtë për të kontrolluar nëse keni anemi do të jetë për të kërkuar për historinë mjekësore, dietën tuaj të rregullt dhe kushtet themelore mjekësore që mund të keni.
  2. Ekzaminim fizik – do të ndihmojë të përcaktojë jo vetëm shkaqet, por shkallën dhe peshën e anemisë tuaj. Ky ekzaminim mund të përfshijë kontrollin e rrahjeve të zemrës, frymëmarrjen, barkun tuaj – për të vlerësuar madhësinë e mëlçisë dhe shpretkës, legenin dhe zorrën e trashë për të identifikuar çdo burim për humbjen e tepruar të gjakut.
  3. Rezultatet e testeve laboratorike do të jenë gjithashtu të rëndësishëm në përcaktimin nëse jeni të sëmurë. Për shkak se simptomat për anemi nuk janë gjithmonë të dukshme mjeku do t’ju rekomandojë kryerjen e testeve të mëposhtme:
  1. Hemograma – apo analiza e plotë e gjakut periferik përfshin gjakun komplet, trombocitet dhe retikulocitet. Për aneminë, mjeku juaj është i interesuar për 3 parametra si përqëndrimi i hemoglobinës, vlerat e Hematokritit (Hct ose PCV) dhe numri i eritrociteve. Vlerat normale për një të rritur ndryshon nga një praktikë mjekësore në një tjetër, por në përgjithësi janë për meshkujt Hct 40- 52%, Hb 14 – 18 g/dl dhe numri i eritrociteve (RBC 4.5-6.5 million/mm3 kurse për femrat Hct 35- 47 %,  Hb 14 – 18 g/dl dhe RBC) për 4-5.6 million/mm3.

Në vlerat normale të tre parametrave të mësipërm, ndikojnë një sërë faktorësh të rëndësishëm të tilla si: seksi, mosha, raca, lartësia e vëndit ku jetojnë. Kriteret për anemi janë: për femrat Hct < 37 %, Hb < 12 gr/dl, dhe RBC < 4 milion/mm3 dhe për meshkujt Hct <40 %, Hb < 13 gr/dl dhe  RBC < 4.5 milion/mm3.

                                            Figura 2. Paraqitja e një kampioni gjaku i nevojshëm për diagnozën e anemisë

  1. Hemoglobina në feçe – mund të jetë një tregues i gjakderdhjeve të brendshme, veçanërisht në zonën e zorrës dhe stomakut. Testi i përdorur për të matur sasinë e gjakut në feçe është testi i gjakut okult në feçe.
  2. Strisho gjaku – këto strisho lejojnë për të pasur një pamje më të qartë të qelizave të gjakut, të tilla si forma, madhësia dhe numri. Diametri i eritrociteve është 6-8 Mm (mesatarisht 7.5 Mm). Eritocitet me përmasa normale quhen normocite. Kur përmasat ndryshojnë atëherë kemi tre lloje mikrocite, makrocitete dhe megalocite. Përsa i përket ngjyrës, eritrocitet janë normokrome dhe hipokrome.
  3. Niveli i hekurit në serum – Testet që masin nivelin tuaj të hekurit në serum janë përdorur për të përcaktuar nëse anemia juaj është shkaktuar nga një deficit në hekur.
  4. Niveli i transferinës
  5. Niveli i ferritrinës
  6. Niveli i foljateve
  7. Niveli i vitaminës B12
  8. Niveli i Bilirubinës – matja e niveleve të bilirubinës mund të përcaktojë nëse keni anemi hemolitike.
  9. Niveli plumbit – testet e toksicitetit ndaj plumbit mund të ndihmojnë të zbuloni aneminë, sidomos tek fëmijët.
  10. Elektroforeza e hemoglobinës – hemoglobina është përdorur për të përcaktuar nëse ju keni talasemi ose anemi me qeliza në formë drapri.
  11. Numërimi i retikulociteve – kjo është një provë që mat sasinë e eritrociteve të reja që palca e kockave prodhon.
  12. Test për funksionimin e mëlçisë (ALT, AST)
  13. Test për funksionimin e veshkave (kreatinemi, azotemi, etj)
  1. Analiza të tjera më invazive mund të jenë të nevojshme për të kërkuar për burimin e anemisë. Mjeku juaj mund të urdhërojë teste shtesë për të përcaktuar llojin e anemisë dhe shkakun e saj:
  1. Grafi e kraharorit – janë përdorur shpesh për të përjashtuar infeksionin tek pacientët me anemi.
  2. Ultratinguj (eko) – mund të zbulojë anomalitë e brendshme që lidhen me lloje të caktuara të anemisë, si një shpretkë e zgjeruar ose mund të demonstrojë shkakun e anemisë. Doppler ultratinguj mund të përdoret gjithashtu për të zbuluar anomalitë e qarkullimit të gjakut, këshillohet për aneminë e fetuseve.
  3. Biopsi e palcës së kockave – nëse dyshohet se ka një problem të palcës së kockave, kjo biopsi mund të kryhet për të vlerësuar nëse prodhimi juaj RBC është normal.
  4. Tomografia kompjuterike e barkut dhe legenit – CT përdor rrezet X për të dhënë imazhe të detajuara të kockave, organeve të brendshme dhe nyjeve limfatike. Kjo mund të ndihmojë në identifikimin e një shpretke apo nyje limfatike të zgjeruar, anomalitë që lidhen me lloje të caktuara të anemisë, dhe është e dobishme për zbulimin e shkakut të gjakderdhjeve të tilla si gastrointestinale malinje, që mund të shkaktojnë anemi në pacientët të cilët nuk mund ti nënshtrohen kolonoskopisë apo endoskopisë.
  5. Rezonanca magnetike (MRI) – kjo mund të ndihmojë në vlerësimin e përqendrimit të hekurit në organe të ndryshme të tilla si zemra dhe mëlçia, veçanërisht në pacientët me transfuzione të shumta të gjakut dhe shqetësimi për mbingarkesën e hekurit.

 

Trajtimi

Trajtimi i anemisë varet nga lloji i saj. Kështu:

  • Anemia nga mungesa e hekurit – trajtim për këtë formë të anemisë zakonisht përfshin marrjen e shtesave të hekurit dhe duke bërë ndryshime në dietën tuaj. Nëse shkaku themelor i mungesës së hekurit është humbja e gjakut, përveç nga menstruacionet, duhet të gjendet burimi i gjakderdhjes dhe të ndalet. Kjo mund të përfshijë edhe kirurgjin.
  • Anemia nga mungesa e vitaminave – trajtimi përfshin shtesa ushqimore në dietën tuaj si acid folik dhe vitaminë B-12.
  • Anemia nga sëmundjet kronike – nuk ka asnjë trajtim të veçantë për këtë lloj anemie. Mjekët përqëndrohen në trajtimin e sëmundjes themelore. Nëse simptomat bëhen të rënda, transfuzioni i gjakut apo injeksione me eritropojetin sintetike, një hormon i prodhuar zakonisht nga veshkat tuaja, mund të ndihmojë për të stimuluar prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut dhe lehtësimin e lodhjes.
  • Anemia aplastike – mjekimi për këtë anemi mund të përfshijnë transfuzionin e gjakut për të rritur nivelet e qelizave të kuqe të gjakut. Mund të duhet një transplantimin i një gjeni, në qoftë se palca e kockave është e sëmurë dhe nuk mund të prodhoj qeliza të shëndetshme të gjakut.
  • Anemia e shoqëruar me sëmundjen e palcës së kockave – trajtimi i këtyre sëmundjeve të ndryshme mund të përfshijnë ilaçe, kimioterapi ose transplant i palcës së kockave.
  • Anemia hemolitike – Menaxhimi i anemisë hemolitike përfshin shmangien e medikamenteve të dyshimta, trajtimin e infeksioneve të lidhura dhe të marrjen e medikamenteve specifike imunitare. Varësisht nga shkalla e anemisë, transfuzioni i gjakut mund të jetë i nevojshëm.
  • Anemia me qeliza në formë drapri – mjekimi për këtë anemi mund të përfshijë administrimin e oksigjenit, lehtësimin e dhimbjes me medikamente, dhe lëngje intravenoze për të parandaluar komplikimet. Gjithashtu, mjekët mund të rekomandojnë transfuzione gjaku, acid folik dhe antibiotikë. Një transplant i palcës së kockave mund të jetë një trajtim efektiv në disa rrethana. Një medikament i quajtur hidroksiurea (Droxia, Hydrea) është përdorur për trajtimin anemia e qelizës drapër.
  • Talasemia –  kjo anemi mund të trajtohet me transfuzione gjaku, acid folik, medikamente, heqjen e shpretkës, ose transplantin e qelizave burimore.

 

Copyright: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Argita Zalli dhe MSc.Gjena Dura (Biolog molekular, Universiteti i Tiranës).

 

REFERENCAT:

https://www.nhlbi.nih.gov/files/docs/public/blood/anemia-yg.pdf.

http://www.clinicalkey.com.

http://www.uptodate.com/home.

http://www.nhlbi.nih.gov/health/health-topics/topics/anemia/.

AskMayoExpert. Sickle cell disease. Rochester, Minn.: Mayo Foundation for Medical Education and Research; 2014.

https://ods.od.nih.gov/factsheets/Folate-HealthProfessional/

https://ods.od.nih.gov/factsheets/VitaminC-HealthProfessional/.

http://www.uptodate.com/home.

http://www.uptodate.com/home.

http://accessmedicine.mhmedical.com/content.aspx?bookid=358&sectionid=39835818.

http://www.clinicalkey.com. Accessed Nov. 30, 2015.

Kassebaum NJ, et al. A systematic analysis of global anemia burden from 1990 to 2010. Blood. 2014;123:615.

http://www.uptodate.com/home. Accessed Dec. 8, 2015.

http://www.hematology.org/Patients/Anemia/Adults.aspx. Accessed Dec. 9, 2015.

http://www.webmd.com/a-to-z-guides/understanding-anemia-basics#1

Burimi i fotove:

 https://speakingofresearch.files.wordpress.com/2016/09/anemia-diagram.jpg (Figura 1)

http://blog.lybrate.com/wp-content/uploads/2016/09/Anemia-Causes-Types-Symptoms-Diet-and-Treatment.jpg (Figura 2)