Viruset janë pjesëza infeksioze, të cilat sulmojnë qelizat e gjalla dhe vetëm nëpërmjet tyre mund të shumohen. Parë në aspektin biologjik ekzistojnë shumë dilema se si duhet të klasifikohen këto forma:të “gjalla“ apo “jo të gjalla“? Ky mbetet ende një problem, pasi viruset nuk posedojnë mekanizma vetjakë për të përfunduar të gjitha proceset jetësore. Nuk kanë metabolizëm vetjak dhe as organizimin morfologjik, që është karakteristik për një qelizë. Nga ana tjetër posedojnë një mekanizëm të tyrin të veçantë, i cili u mundëson dyfishimin e ADN-së së tyre. Ndoshta është e domosdoshme te ridefinojmë përkufizimet tona që kemi për të gjallën.

Publikimet e reja në fushën e virologjisë sugjerojnë për lloje të reja virusesh, të cilët kanë madhësi shumë më të mëdha në krahasim me format që kanë qenë të njohura deri më tani.  Në një qendër për trajtimin e ujërave të zeza në Austri, shkencëtarët kanë bërë një gjetje të çuditshme: ata kanë hasur një virus gjigand, që në këto madhësi nuk është hasur më parë. Këta viruse për habi posedojnë shumë gjene për biosintezën e proteinave, që zakonisht hasen vetëm ne qeliza të mirëfillta. Duke u nisur nga ky fakt, këta virusejanë më të ngjashëm me qeliza se çdo virus tjetër i njohur deri më tani, siç raportojnë grupi i shkencëtarëve në revistën e njohur shkencore “Science“. Ata  gjithashtu provojnë të sqarojnë se si këta viruse kanë mundur të krijohen.

Viruset hasen thuajse në çdo tip qelizor dhe arrijnë të pushtojnë çdo cep të tokës, edhe pse nuk konsiderohen organizma të mirëfilltë, sepse për shumimin e tyre të suksesshëm ata janë të varur nga aparati gjenetik i qelizës që infektojnë.

Para 15 vitesh, një grup shkencëtarësh gjetën disa viruse të mëdhenj, të cilët sistemohen në rendin e Megavirales (që njihen edhe si Nucleocytoplasmic large DNA viruses)dhe që posedojnë një gjenom nga 100 – 1200 kilobaza. Këto viruse sulmojnë ameba, por ka edhe raste të infektimit të gjitarëve dhe insekteve.

Pyetja më e rëndësishme në këtë rast është: Si u krijuan këto forma të ndërmjetme Virus-Baktere? A janë formuar nga mekanizma qelizorë, të cilat më kalimin e kohës reduktuan aparatin e tyre qelizor? Apo  këto viruse janë forma të evoluara nga viruse më primitivë, të cilët çdo herë inkorporuan pjesëza të materialit gjenetik nga bujtësit që kanë infektuar.

Një përgjigje rreth pyetjeve të parashtruara mund të na e japin disa viruse të rinj të zbuluar në kohët e fundit nga F. Schulz nga Joint  Genome Institute në Kaliforni së bashku më bashkëpunëtorët e tij. Këto gjetje ata i bënë kur analizuan ujin në gjurmë të ADN-së nga një qendër për pastrimin e ujërave të zeza në Austri.

Siç ka raportuar grupi i shkencëtarëve, ata kanë  pritur që të gjejnë sekuenca gjenetike nga bakteret  e nitrifikuara, por në vend të tyre dolën sekuenca gjenetike nga gjenomi i tre viruseve të panjohur deri më tani, të cilët ishin në lidhje filogjenetike të afërt më njëri tjetrin.

Këta viruse tëzbuluar, që u quajtën si Klosneuviruse, në shumë aspekte veçohen nga format e njohura deri më tani. Bujtësit e tyre nuk janë amebat siç ka qenë rasti te shumica e viruseve gjigantë të njohur, por këto viruse infektojnë kryesisht protistë të grupit të ciliateve dhe organizma të tjerë eukariotë, njëqelizorë.

Edhe me i çuditshëm është gjenomi i tyre. Është llogaritur rreth 1,54 Megabaza i gjatë dhe posedon shumë gjene për biosintezë të proteinave. Njëri nga tre viruset e gjetur ka koduar më tepër se 20 mARN dhe enzima për konstruksionin e 19 aminoacideve të ndryshme. Të gjithë nga tre viruset kanë poseduar më shumë gjene sesa çdo virus tjetër.

Por, si duhen renditur këta viruse në trungun farefisnor të botës së gjallë? Analizat gjenetike zbuluan se gjenet përgjegjëse për sintezën e proteinave të këtyre viruseve iu ngjasojnë atyre të qelizave eukariotike. Schulz dhe kolegët e tij japin përfundimin e tyre se këta viruse nuk janë krijuar si reduksion i një qelize, por nga “vjedhja“ e gjeneve nga qeliza bujtëse. Nga hipoteza e tyre këto forma mund të jenë pasardhëse të grupit të Mimivirusëve, të cilat u pasuruan çdo herë me gjene te reja nga qelizat të cilat ato infektuan.

Ky zbulim krijon një perspektivë të re lidhur më evolucionin e viruseve. Duke u bazuar tek ky fakt, me shumë gjasë edhe shume forma të tjera virusesh janë ende të pazbuluar dhe potencialisht mund të ndryshojnë kuptimin që kemi për këto “forma jetësore”.

COPYRIGHT: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqiptare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Dardan Beqaj (Msc. Biologji, Universiteti i Prishtinës)

REFERENAT:

https://doi.org/10.1126/science.aal4657

Yutin, Natalya, Yuri I. Wolf, and Eugene V. Koonin. "Origin of giant viruses from smaller DNA viruses not from a fourth domain of cellular life." Virology 466 (2014): 38-52.

http://www.scinexx.de/wissen-aktuell-21341-2017-04-07.html

https://de.wikipedia.org/wiki/Viren

https://de.wikipedia.org/wiki/Nucleocytoplasmic_large_DNA_viruses

Fotografitë:

http://www.smartweek.it/wpsw/wp-content/uploads/2016/10/HIV-infect-body.jpghttp://www.scinexx.de/redaktion/wissen_aktuell/bild14/riesenvirus3g.gif