Një grup bioteknologësh të universitetit Brown tashmë mund të kultivojnë në laboratorë trurë të vegjël të përbërë nga neurone dhe qeliza të tjera mbështetëse të cilat formojnë rrjeta elektrikisht aktive. Kjo risi mund të sjellë një platformë 3D të pakushtueshme, të lehtë për tu krijuar  dhe të nevojshme për kërkimet biomjekësore. Këto struktura nuk prodhojnë mendime por sinjale elektrike dhe sinapset e veta çka i bën shumë dobiprurëse në kërkimet neuroshkencore.

Thjesht një kampion i vogël nga indet e gjalla të një brejtësi mund të krijojë me qindra trurë të vegjël duke përdorur një teknikë të veçantë që përfshin izolimin dhe koncentrimin e qelizave të dëshiruara  me metodën e centrifugimit dhe më pas përdorimi i kampionit tashmë të pastër për të  mbjelle kulturën qelizore  në një mjedis me agarozë.

Kërkuesit pranojnë se këto struktura 3 milimetër në diametër nuk janë të parat kultura qelizore të sofistikuara  e funksionale por paraqesin avantazhe në kohë dhe në kosto duke qenë se fillojnë të formohen pa kaluar dy ditë që nga mbjellja e kulturës dhe formojnë struktura neuronale 3-D pa kaluar 2-3 javë.

Metoda e re i pajis trurët e vegjël me një sërë cilësish të rëndësishme:

  • Diversiteti i tipave të qelizave: Kulturat përmbajnë si neurone inhibitore ashtu edhe eksitatore dhe qeliza të glisë.
  • Janë elektrikisht aktive: Neuronet formojnë sinapse duke formuar rrjeta komplekse.
  • Struktura 3-D: Qelizat lidhen dhe komunikojnë sipas një gjeometrie në hapësirë dhe jo plane.
  • Densiteti natyral: Eksperimentet treguan se trurët e vegjël kanë një densitet prej disa qindrash qeliza për milimetër kub, sasi e ngjashme me atë të trurit natyral të brejtësve të përdorur.
  • Struktura fizike: Qelizat prodhojnë  matriksin e tyre ekstra qelizor duke formuar një mbështjellje me të njëjtat veti si ai natyral.
  • Jetëgjatësia: Gjatë testimeve kulturat qelizore jetojnë të paktën një muaj.

Një nga problemet madhore në të kuptuarit e çrregullimeve mendore është se nuk  mund të kemi akses të drejtpërdrejtë në trurin human. Këto sfera neuronale përngjajnë me arkitekturën tre dimensionale të korteksit dhe kanë struktura gjen shprehëse  që imitojnë ato të një truri fetal në zhvillim.

Shkencëtarët shpresojnë se këta trurë të vegjël  lundrues do të ndihmojnë në përmirësimin e dijeve rreth mënyrës së zhvillimit të sistemit nervor dhe t’ju  lejojë të përcaktojnë mekanizmat që kontribuojnë në sëmundje të ndryshme me natyrë neuropsikiatrike si autizmi apo skizofrenia.

Referencat:

  • http://www.iflscience.com/brain/scientists-grow-mini-brains-patient-skin-cells
  • http://www.sciencedaily.com/releases/2015/10/151001093854.htm
  • https://news.brown.edu/articles/2015/10/minibrain
  • Imazhi i adaptuar nga: http://medicalxpress.com/news/2015-10-accessible-approach-mini-brain.html

Leave a Reply