Jemi në përfundim të vitit 2016 dhe mund të themi pa frikë që shkenca këtë vit ka bërë hapa gjigandë përpara.Një nga hapat më gjigandë të mjekësisë që nga fillesat e saj është zbulimi i vaksinave.Synimi i të gjithë zbulimeve shkencore është përmirësimi i jetës së njeriut.Ky ishte dhe vazhdon të jetë qëllimi i përdorimit të vaksinave. Megjithatë të gjithë kemi dëgjuar të flitet shpesh këtë vit për qëndrime të kundërta karshi vaksinimit të fëmijëve.

Në themel të kësaj lëvizjeje kundër vaksinimit qëndrojnë argumente që mbështesin idenë se vaksinat janë të panevojshme, jo efikase dhe të rrezikshme.

Si funksionojnë Vaksinat?

Kur një patogjen siç janë bakteret e dëmshme apo viruset infekton organizmin për herë të parë, sistemi ynë imun nxiton ta njohë atë si “invadues” bazuar në tiparet specifike molekulare të patogjenit (i njohur ndryshe si antigjen). Në përgjigje të këtyre antigjenëve, trupi ynë prodhon molekula të quajtura antitrupa që bëjnë të mundur që sistemi ynë imun të kapë dhe të vrasë patogjenin.

Kur organizmi takon një patogjen për herë të parë e ka të vështirë të mbledhë mjaftueshëm antitrupa për ta mundur infeksionin. Pikërisht në atë moment patogjeni ka mundësinë të sulmojë organizmin, duke na bërë të ndiejmë simptomat e sëmundjes. Pas takimit të parë të patogjenit me organizmin e njeriut, trupi ynë tashmë është në gjendje të memorizojë antigjenin, kështu që nëse i njëjti patogjen godet përsëri ne do të jemi në gjendje të paraqesim një mbrojtje më të fortë dhe më të shpejtë ndaj invadimeve të ardhshme.

Vaksinat e ndihmojnë organizmin të njohë patogjenin. Specifikisht vaksinat përmbajnë të njëjtët antigjenë si patogjenët, por në formë të dobësuar apo të vdekur, në mënyrë që organizmi të mësojë se si duket patogjeni dhe të prodhojë antitrupa në mënyrë të sigurtë dhe relativisht të kontrolluar. Në këtë mënyrë, kur organizmi të takojë patogjenin e vërtetë do të jetë tashmë i trajnuar dhe gati për ta eleminuar, përpara se ai ta dëmtojë.

Është e rëndësishme të dimë se vaksinat mbrojnë jo vetëm individët të cilëve u jepen, por të gjithë popullsinë. Kur numri i individëve të imunizuar (vaksinuar) në një popullsi arrin një prag të caktuar sigurohet “imuniteti i përgjithshëm”. “Imuniteti i përgjithshëm” mbron të gjithë popullsinë, përfshirë dhe ato që nuk janë vaksinuar. Përqindja e popullsisë që duhet imunizuar (vaksinuar) për të arritur “imunitetin e përgjithshëm” varion sipas llojit të sëmundjes, me prag nga 75-94% për sëmundjet e zakonshme. “Imuniteti i përgjithshëm” është thelbësor për mbrojtjen e atyre që nuk janë të përshtatshëm për t`u vaksinuar si foshnjet, gratë shtatëzëna dhe të rriturit me imunitet të kompromentuar.Kjo tregon se ndonëse vaksinimi duket si zgjedhje personale, në fakt mbron të gjithë popullsinë.

fig1-1

Figura 1. Formimi i imunitetit përmes vaksinimit. (A) Patogjenët si bakteret dhe viruset kanë sinjale molekulare të quajtur antigjenë (trekëndëshat e gjelbër) që mund të njihen nga sistemi ynë imunitar. (B) Vaksinat përmbajnë këto antigjene (ose një pjesë të tyre), pa pjesën e rrezikshme të patogjenit që shkakton sëmundje. (C) Pas injektimit të antigjenëve në organizëm, sistemi ynë imun gjeneron antitrupa (në formë Y) që njohin antigjenin. (D) Nëse një infeksion nga i njeti patogjen shfaqet në të ardhmen, sistemi ynë imun ka tashmë antitrupat gati. Organizmi ynë mund të njohë shpejt patogjenin bazuar në antigjenin e tij dhe mund të nisë një mbrojtje të shpejtë dhe efikase.

A shkaktojnë vaksinat autizëm?

Një nga argumentet më popullore që sjellin personat që janë kundër vaksinimit është ai se vaksinat më shumë dëmtojnë se shërojnë, duke shkaktuar autizëm dhe dëmtime në zhvillimin mendor të fëmijëve, që dihet se pengojnë ndërveprimin social dhe komunikimin.

Ky argument u bë i famshëm nga kirurgu britanik Andrew Wakefield, “babai i lëvizjes kundër vaksinimit”. Në artikullin e tij të vitit 1998, të publikuar në gazetën mjekësore “The Lancet” Wakefield pretendoi për një lidhje mes autizmit dhe vaksinës së fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR). Ky artikull përshkruan një studim të bërë në 12 fëmijë të cilët kishin filluar të shfaqnin simptoma të autizmit, ashtu si dhe të problemeve gastrointestinale pak pas aplikimit të vaksinës MMR.

Pa kaluar shumë kohë nga studimi i Wakefield, shkencëtarë të tjerë kryen kërkime të pavarura të cilat hodhën poshtë gjetjet e tij. Studime të tjera nga Mbretëria e Bashkuar në vitin 1994, Finlanda dhe Danimarka në vitin 2002 dhe Japonia në vitin 2005 në mënyrë të ngjashme kundërshtuan gjetjet e Wakefield. Në vitin 2014 shkencëtarët australianë analizuan rezultatet e kombinuara të 10 studimeve të mëparshme, të cilët në total përfshinin më shumë së 1.2 milionë fëmijë dhe në mënyrë të ngjashme zbuluan se nuk ekzistonte lidhje mes vaksinimit dhe autizmit. Se fundmi një studim i publikuar në prill të vitit 2015 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka treguar dhe njëherë se vaksina MMR nuk e rrit rrezikun për të zhvilluar autizëm, madje as për ato që janë gjenetikisht të predispozuar për të zhvilluar këtë çrregullim.

Në vitin 2004 gazetari investigativ britanik Brian Deer prezantoi dëshmi që tregonin se Wakefield mund të ketë falsifikuar të dhënat në publikimin e tij. Argumentet kundër gjetjeve të Wakefield vazhduan të jenë në qendër të vëmendjes deri në janar të vitit 2010, kur Këshilli i Përgjithshëm Mjekësor e shpalli atë fajtor për shkelje serioze dhe “Lancet” tërhoqi artikullin origjinal të vitit 1998.

Popullariteti i vazhdueshëm i teorisë që mbështet lidhjen mes autizmit dhe vaksinimit ka marrë mbështetje nga shumë prindër të cilët kanë ndarë me publikun historitë e fëmijëve të tyre, të cilët filluan të shfaqnin shenja të autizmit pak pas vaksinimit. Fillesa e autizmit shënjohet në 2-3 vitet e para të jetës së fëmijëve që përkon me të njëtën moshë, kur fëmijët marrin shumicën e vaksinave.

Rritja e numrit të të diagnostikuarve me autizëm ka ardhur pjesërisht dhe si rrjedhojë e ndryshimeve në përkufizimin e autizmit.Përkufizimi i autizmit është detajuar dhe është bërë më përfshirës, prandaj dhe më shumë fëmijë po diagnostikohen me këtë çrregullim. Në të vërtetë të njëtat simptoma të cilat sot konsiderohen si “autizëm”, dekada më parë janë diagnostikuar si prapambetje mendore.

Një e dhënë interesante është ajo që vjen nga qyteti i Yokohamas, në Japoni. Në këtë qytet nuk është aplikuar vaksina MMR në fëmijët e lindur që nga viti 1993.Megjithatë, nivelet e autizmit janë rritur mes fëmijëve të pavaksinuar. Kështu që ndonëse shkencëtarët vazhdojnë të kërkojnë shkakun ekzakt të autizmit, një gjë mbetet e pandryshuar: Askush, akoma nuk ka gjetur një të dhënë shkencore bindëse që mbështet lidhjen mes vaksinimit dhe autizmit.Shumë, shumë, shumë studime e kanë konfirmuar këtë. Përmbledhja më e fundit sistematike e studimeve mbi vaksinën MMR, Cochrane përfshin 6 seri studimesh shkak-pasojë, 2 studime ekologjike, 1 studim klinik të tipit crossover, 5 studime klinike të pavarura, 17 studime kontrolli, 27 studime kohorte dhe 5 studime klinike të kontrolluara, të rastësishme. Më shumë se 15 milionë fëmijë u bënë pjesë e kërkimit në fjalë, por askush nuk mundi të gjejë të dhëna në favor të lidhjes mes vaksinimit dhe autizmit.

vaccines-for-children-300x215

Figura 2.

Vaksinat, ashtu si çdo zhvillim tjetër mjekësor kanë avantazhet dhe disavantazhet e tyre.Historia dhe shkenca kanë treguan në mënyrë të vazhdueshme se avantazhet e vaksinimit janë qartazi shumë herë më të mëdha se disavantazhet. Për më tepër që këto disavantazhe  mund të shmangen nëpërmjet studimeve të detajuara. Megjithatë mosbesimi karshi vaksinave ka vazhduar, pavarsisht dëshmive të bollshme se ato janë të sigurta, të fuqishme, efikase dhe nuk shkaktojnë autizëm.Pavarsisht të gjithë kundërshtive në lidhje më vaksinimin, asnjë përpjekje për të provuar inefikasitetin apo rrezikshmërinë e tyre përgjatë kohës dhe testimeve nuk ka patur sukses.

Shumë pyetje nga shkenca dhe mjekësia janë të ngatërruara dhe acaruese, por pyetja mbi vaksinimin nuk ka pse të jetë e tillë. Kjo sepse përfundimi mbi vaksinat është tashmë i njohur: e pafajshme, efikase, e fuqishme dhe tepër e rekomanduar!

Copyright: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Detina Zalli dhe Harmela Sinanaj (Universiteti i Mjekësisë, Tiranë).

Referencat:

1.http://sitn.hms.harvard.edu/flash/2016/to-vaccinate-or-not-to-vaccinate-searching-for-a-verdict-in-the-vaccination-debate/
2.http://www.parents.com/health/vaccines/controversy/8-reasons-parents-dont-vaccinate-and-why-they-should/
3.http://www.nytimes.com/2015/09/18/upshot/not-up-for-debate-the-science-behind-vaccination.html?_r=0
4.https://en.wikipedia.org/wiki/MMR_vaccine
Burimi i fotove:
1.Fig 1. http://sitn.hms.harvard.edu/flash/2016/to-vaccinate-or-not-to-vaccinate-searching-for-a-verdict-in-the-vaccination-debate/
2.Fig 2. https://celiac.org/celiac-disease/understanding-celiac-disease-2/celiac-disease-vaccinations/