Medicus curat natura sanat, pikërisht në ketë proverb latin shprehet qartë fakti që në natyrë gjendet shërimi edhe për sëmundjet më të rënda e të rrezikshme.

Tek fruti i bananes, Musa acuminate dhe Musa balbisiana është arritur të identifikohet dhe të izolohet BanLec – Banana Lectin.

Lektinat janë proteina te cilat lidhen me karbohidratet dhe marrin pjesë në role madhore si komunikimi dhe sinjalizimi ndërqelizor dhe në proceset e adezionit.

BanLec është një homodimer i ndërtuar nga dy nënnjësi identike dhe është një proteine shume e qëndrueshme, e cila mund ta humbasë strukturën e saj vetëm në temperatura shumë të larta.

BanLec sillet si një mitogen i qelizave T. Kjo proteine pasi lidhet me qelizat T stimulon ndarjen dhe shumimin e kesaj klase qelizore.

 Fakt interesant është që viruse të caktuar si HIV në sipërfaqen e tyre përmbajnë molekula sheqeri në të cilat proteina BanLec mund të lidhet lehtësisht. Pas lidhjes se kësaj proteine tek molekulat e sheqerit që gjenden në sipërfaqen e virusit e bënë të pamundur penetrimin e virusit në qelizë, duke ndaluar në këtë mënyrë virusin që të “pushtojë” makinerinë qelizore.

Problemi më madhore më këtë molekulë ishte fakti që në prezencë të një infeksioni, duke qenë se stimulon proliferimin e qelizave T, mundësonte që viruset të kishin më shumë qeliza për të infektuar e për pasojë përhapej më shpejt infeksioni në organizëm.

Bazuar në këto fakte shkencëtarët vendosen që të provonin të modifikonin strukturën e BanLec, në mënyrë që të siguronin ndarjen e efekteve mitogjene nga ato antivirale.

Grupi si studiuesve provoi që duke zëvendësuar aminoacidin Histidine i vendosur në pozicionin 84 me një Threonine ulej në mënyrë të konsiderueshme aftësia mitogjene e molekulës dhe ruhej shumë mirë efekti i saj antiviral.

Pasi kjo molekulë u testua in vitro u pa që nuk ndalonte vetëm virusin HIV për të penetruar në qelizë por kishte të njëjtin efekt edhe mbi hepatitin C dhe mbi viruset e influencës.

Studime të mëtejshme më të mëdha janë të nevojshme për të vërtetuar që kjo molekulë mund të aplikohet pa rreziqe mbi njerëzit dhe bazuar mbi mekanizmat e mësipërm në të ardhmen mund të përdoret si terapi efektive.

Referencat:

  • Imazh i adaptuar nga: www.uofmhealth.org/sites/default/files/banana%20lectinsm.png.
  • http://www.iflscience.com/health-and-medicine/banana-molecule-fights-hiv-and-hepatitis-c
  • http://www.cell.com/cell/abstract/S0092-8674(15)01273-8
  • https://en.wikipedia.org/wiki/BanLec
  • Lehninger Principles of Biochemistry, 6th edition. P269

Leave a Reply