"Messieurs, c'est les microbes qui auront le dernier mot."

"Zotërinj, mikrobet janë ato që do të thonë fjalën e fundit."

  • Që nga zbulimi i tyre në shekullin e XVIII, vaksinat kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore mënyrën se si praktikohet mjekësia moderne dhe njëkohësisht kanë eleminuar incidencën e shumë sëmundjeve vdekjeprurëse që kanë prekur njerëzimin ndër vite.
  • Louis Pasteur zbuloi si të prodhonte vaksina nga mikrobet e dobësuara ose të zbutura duke zbuluar kështu vaksinat më të hershme kundër kolerës tek shpendët, antraksit dhe tërbimit.
  • Vaksinimi ka reduktuar në mënyrë domethënëse morbiditetin dhe mortalitetin nga sëmundjet infektive në shumë vende të botës.

Me siguri ju nuk prisnit të shikonit në hapjen e një artikulli mbi historikun e vaksinave këtë koment të shekullit të XIX të njërit prej shkencëtarëve më të spikatur në luftën kundër sëmundjeve, Louis Pasteur, por padyshim ky koment tregon qartë se që të mos jenë mikrobet ato që do të thonë fjalën e fundit, ne duhet t`i luftojmë ato dhe çelësi për këtë është vaksinimi.   

Që nga zbulimi i tyre në shekullin e XVIII, vaksinat kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore mënyrën se si praktikohet mjekësia moderne dhe njëkohësisht kanë eleminuar incidencën e shumë sëmundjeve vdekjeprurëse që kanë prekur njerëzimin ndër vite. Njerëzit i kanë përdorur vaksinat në mënyrë efikase për më shumë se dy shekuj, por rruga deri në zbulimin e tyre ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Kjo punë ka kërkuar përkushtimin e shumë shkencëtarëve të rinj dhe shumë klinicistëve.

Në këtë artikull do të eksplorojmë historinë e vaksinave dhe kontributin e biologut, mikrobiologut dhe kimistit francez të shekullit të XIX, Louis Pasteur,i cili është shkencëtari i parë që krijoi vaksinën në kushtë laboratorike. 

Louis Pasteur konsiderohet si paraardhës i imunologjisë moderne, për shkak të studimeve të tij në fund të shekullit të XIX që popullarizuan teorinë mikrobiale të sëmundjeve, duke dhënë kështu shpresë se të gjithë sëmundjet infektive mund të parandalohen përmes vaksinimit.

Studimet e Pasteur-it mbi mikroorganizmat e frymëzuan atë të ndiqte studimin e sëmundjeve infektive. Në fillim, ai zhvilloi eksperimente në kafshë. Ai studioi kolerën e shpendëve (pulave veçanërisht), një sëmundje shume ngjitëse që po shkatërronte popullatën e pulave. I influencuar nga Edward Jenner, i cili zbuloi për herë të parë vaksinën e lisë së dhenve, Pasteur mendoi se nëse një vaksinë mund të gjendet për linë e dhenve, mund të gjenden vaksina për të gjitha sëmundjet.

Në vitin 1879, Pasteur vëzhgoi në mënyrë rastësore se kulturat e vjetra bakteriale e humbnin virulencën e tyre. Ai udhëzoi asistentin tij, Charles Chamberland  t`u injektonte pulave kulturë të freskët bakteriale përpara pushimeve, por ai harroi dhe shkoi me pushime. Kur u kthye 1 muaj më vonë, ai performoi të njetën procedurë duke përdorur kulturat e vjetra bakteriale. Në mënyrë të papritur, pulat shfaqën vetëm shenja mesatare të sëmundjes dhe mbijetuan. Kur pulat ishin të shëndetshme sërisht, Pasteur, i surprizuar nga rezultati u injektoi atyre baktere të freskëta. Pulat nuk u sëmurën.

Zbulimi i vaksinës së shpendëve nga Louis Pasteur revolucionarizoi punën me sëmundjet infektive dhe mund të konsiderohet si lindja e imunologjisë. Përdorimi i një forme të dobësuar të sëmundjes për të bërë të mundur imunizimin nuk ishte një koncept i ri, por Pasteur ishte i pari që e realizoi atë në laborator, duke ndikuar kështu tek të gjithë virologjistët që punuan pas tij.

Mikrobi i dobësuar në laborator mësoi sistemin imunitar të pulës të luftonte infeksionin, pa i shkaktuar dëme serioze pulës. Kjo lloj vaksine quhet vaksinë e gjallë, e dobësuar. Pasteur, ndërsa kuptoi se kishte zbuluar një teknikë që mund të aplikohej dhe në sëmundje të tjera, filloi studimin e antraksit (anthrax). Ai prodhoi vaksinën nga bacili i dobësuar i antraksit, që mund të mbronte delet dhe kafshët e tjera.

Me vonë, në vitin 1885, ndërkohë që studionte sëmundjen virale të tërbimit (rabies), që përhapet tek njerëzit nëpërmjet pështymës së infektuar të kafshëve, që zakonisht transmetohet përmes kafshimit (shkakton simptoma si temperatura, dhimbja e kokës, të përzierat, të vjellat, axhitimi, vështirësia në gëlltitje, halucinacionet, paraliza e pjesshme etj.) Pasteur testoi vaksinën e parë humane. Ai trajtoi pacientin e tij të parë, një djalë 9 vjeçar, i cili ishte sulmuar rëndë nga qentë duke përdorur doza të përditshme me virulencë në rritje të vaksinës së tërbimit. Djali nuk shfaqi simptoma, ndërsa Pasteur u shndërrua në një hero ndërkombëtar.

Puna e Pasteur ka ndikuar në avancimin e fushës së virologjisë dhe ka stimuluar kërkimin shkencor mbi vaksinat në të gjithë globin. Në dekadat pasardhëse, vaksina të gjalla, të dobësuara janë krijuar kundër shumë sëmundjeve vdekjeprurëse në botë duke përfshirë difterinë (1888), murtajën (1897), tuberkulozin (1927), ethet e verdha (1936), fruthin (1936), shytat (1967), rubeolën (1969), variçelën (1995) dhe rotavirusin (1998).

Revolucioni i Pasteur në fushën e vaksinave ka shpëtuar pafund jetë dhe ka pëmirësuar cilësinë e jetës në të gjithë botën. Pa diskutim që vaksinimi ka reduktuar në mënyrë domethënëse morbiditetin (sëmundshmërinë) dhe mortalitetin (vdekjet) nga sëmundjet infektive në shumë vende të botës.

 

COPYRIGHT: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Harmela Sinanaj (Universiteti i Mjekësisë, Tiranë).

REFERENCAT:

  1. https://www.sciencehistory.org/historical-profile/louis-pasteur
  2. https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC3342039/
  3. https://www.historyofvaccines.org/timeline
  4. https://www.vbivaccines.com/wire/louis-pasteur-attenuated-vaccine/
  5. http://www.immune.org.nz/vaccines/vaccine-development/brief-history-vaccination

Referenca e fotos:

  1. https://www.vbivaccines.com/wire/louis-pasteur-attenuated-vaccine/