timthumb

Stresi, ndotja, përdorimi i kimikateve, ekspozimi në rrezatimet e dëmshme, si dhe sëmundje të caktuara klasifikohen nga mjekët dermatologë si shkaqet kryesore që çojnë në dobësimin dhe më pas rënien e flokut. Shqetësim ky që shfaqet në rritje gjatë viteve të fundit. Megjithatë, rënia e flokut jo në çdo rast është problematike, pasi humbja e deri 100 fijeve në ditë konsiderohet si normale dhe nuk përbën shqetësim. Mjekia dermatologe, Monika Fida, detajon për gazetën “Dita” shkaqet dhe format se si shfaqet rënia e flokut së bashku me këshillat që nuk duhet t’i neglizhojmë për të mos u përballur me një fenomen shqetësues që ndikon negativisht në pamjen tonë estetike të përditshme. Në materialin bashkangjitur shkrimit do të gjeni të detajuar të gjitha format dhe shkaqet se si manifestohet rënia e flokut.

 

Alopecia (rënia e flokëve)

Rënia e flokëve ose, siç njihet ndryshe në gjuhën mjekësore, Alopecia, është një sëmundje që shoqërohet me rënie të flokëve në formë vatrash (Alopecia areata) ose në të gjithë lëkurën e kokës (Alopecia totalis). Rënia difuze e flokëve çon në të ashtuquajturën defluidum ose efluvium të flokut. Humbja e flokëve mund të jetë e formave të ndryshme dhe në varësi të saj përcaktohet edhe rikuperimi ose jo i tyre. Duke iu referuar këtij klasifikimi vëmë në dukje se rënia e flokëve mund të jetë e përkohshme dhe mund të trajtohet nga mjeku dermatolog (duke iu nënshtruar trajtimeve specifike). Nga ana tjetër, humbja e flokut mund të jetë edhe e përhershme dhe trajtimi i saj mbetet vetëm në ndihmën e kirurgut plastik, i cili me atë të procedurave të zhvilluara të transplantit mund të çojë në rikuperimin e flokëve të humbur.

 

Rastet kur rënia e flokut kalon kufijtë e normalitetit

Floku rritet në normën 0.35mm në ditë dhe ka një densitet 80.000-150.000.  Një sërë faktorëh ndikojnë në rritjen dhe rënien e flokut. Konkretisht do të përmendim trashëgiminë, influencën e faktorëve patologjike të jashtëm e të brendshëm si psh: faktorë dëmtues të flokëve si bojëra e kimikate të ndryshme, stresi, ndotja ambientale, sëmundje të ndryshme në organizëm, marrja e medikamenteve të caktuara etj. Në persona normalë rënia dhe rritja e flokëve ndodh në mënyrë të vazhdueshme. Rënia normale e flokëve konsiderohet humbja e 70-100 fijeve në ditë, pra mbi këtë numër të flokëve rënia konsiderohet patologjike, për të cilën është e nevojshme konsultimi me mjekun specialist dermatolog. Çdo ditë pra ne humbasim deri në 100 fije floku në ditë, të cilat më pas zëvendësohen në muajt në vijim nga flokë të rinj dhe kështu floku nuk humbet volumin e tij, pavarësisht fijeve që bien. Çdo folikul ose rrënjë e flokut ndjek një ritëm të caktuar, me faza rritje dhe pushimi. Në përfundim të çdo faze, pushimi floku bie dhe një fazë e re me formim të një floku të ri fillon, duke zëvendësuar fijet e humbura.

 

3 fazat në të cilat kalon rritja e flokut

Janë tre faza në ciklin e rritjes së flokut që njihen konkretisht si: anagen ose faza e rritjes, katagen ose faza tranzitore, si dhe faza e tretë telogen ose faza e pushimit. Ndalemi në mënyrë të detajuar tek secila prej tyre.

Faza e rritjes anagen

Në këtë fazë floku është shumë i ndjeshëm ndaj faktorëve të ndryshëm dëmtues të jashtëm (bojëra, deklarues, kimikate e produkte të forta, stresi etj). Floku në ditë rritet 0.35 mm dhe kjo periudhe zgjat 3-6 vjet

Faza Katagjen ose faza kalimtare.

Kjo fazë zgjat 3 javë.

Ndërsa faza telogen ose e pushimit zgjat 3-4 muaj. Floku në fazën telogene mund të shkëputet pa dhimbje. Në fund të fazës floku bie vetë ose mbetet në krehër gjatë krehjes. Flokët që mbeten në krëhër i përkasin flokëve që janë në këtë fazë.

Në fillimin e një cikli të ri të flokëve folikuli (rrënja) kthehet në dermë të thellë, ndërton një rrënjë të re në formë qepe (bulbi) dhe kështu formon një flok të ri. Trashëgimia është faktor i rëndësishëm në ciklin e flokëve. Cikli i flokëve është i përcaktuar gjenetikisht për çdo rrënjë të flokëve, për çdo individ dhe për çdo zonë të trupit.

 

Trikograma, statusi i rënies së flokut, si dhe rastet kur duhet të shqetësohemi

Është ekzaminimi që bëhet për të vënë diagnozën dhe për të përcaktuar llojin e rënies të flokut duke vërejtur gjendjen e rrënjës së flokut në mikroskop. Flokët nuk duhet të jenë larë për rreth 5-7 ditë. Ekzaminimi konsiderohet si normal ose trikograma është normale kur  85 për qind, rreth 100.000 flokë të kokës janë në fazën e rritjes. Në fazën kalimtare 0.5-1 për qind e flokëve, si dhe 15 për qind të flokëve në fazën e pushimit. Por në kontakt me faktorë të ndryshëm që do t’i detajojmë në vijim, këto raporte në përqindje ndryshojnë duke na dhënë forma të ndryshme të rënies të flokëve (alopecisë).

Në pacientë që ankohen nga rënia e flokëve vërehen në trikograme: pakësim i flokëve normalë në fazën e rritjes/anagen deri në 30 për qind.

Rritja e flokëve jo të shëndetshëm 20 për qind dhe rritja e flokëve në fazën e pushimit/telogen 30-50 për qind.

 

Simptomat !

11 format e detajuara se si shfaqet rënia e flokëve

 

Rënia difuze/Alopecia difuze Rënia e madhe e flokëve me shumë se 100 flokë në ditë. Është gjendje e cila mund të rikthehet në gjendjen normale pas mjekimit. Vërehet tek meshkujt dhe femrat.
Rënia e trashëguar/Alopecia androgenike Rënia e flokëve e trashëguar  nga predispozicioni gjenetik nën ndikimin hormonal.Haset tek meshkujt (tullacëria) dhe femrat.
Rënia e flokëve në formë vatrash/Alopecia areata Vërehet si te meshkujt dhe femrat. Ka raste kur rënia nga vatra të vogla hapet dhe zë sipërfaqe të mëdha të kokës/ Alopecia totale. Haset shpesh edhe në fëmijë.
Rënia  stinore/Alopecia klimaterike Rënia difuze nën efektin e klimës.Vërehet sidomos në vjeshtë.
Rënia e flokëve pas lindjes/Alopecia pas lindjes Humbje e flokëve 2-4 muaj pas lindjes.është një rënie që rikthehet në normë pas mjekimit dhe normalizimit të dietës.
Rënia nga trauma/Alopecia traumatike Rënia nga shkulja e flokëve.
Alopecia atrofike Humbja e parikthyeshme e flokëve me atrofi të folikulit (rrënjës) si p.sh në sëmundjet Lupus, Liken.
Rënia nga medikamentet/Alopecia medikamentoze Humbje e flokëve nga përdorimi i medikamenteve si medikamentet që përdoren për trajtimin e kancerit (citostatikët), antikoagulantet, thyreostatiket, antihyperkolesterolemiket, etj .
Rënie e flokëve e lindur/Alopecia hereditare Formë e trashëguar dominante autosomike. Vërehet rënie midis moshës 5-12 vjeç më vonë alopeci totale.
Rënie në sëmundje të ndryshme/Alopeci specifike Alopeci në sifiliz.
Rënia/Alopecia nga veprimi i lëndëve kimike Mjedisi shumë i ndotur si nga produktet e përpunimit të  drurit, pesticideve, të metaleve të rënda, mërkur, arsenik ,etj.

 

 

Faktorët që favorizojnë rënien e flokëve:

 

•             Predispozicioni gjenetik

•             Ndryshime stinore

•             Faktorët hormonale: hiperndjeshmeri ndaj androgeneve, deficiti i estrogeneve,

•             Faktorët psikologjik: stresi, shoku emocional (vdekjet, aksidentet, operacionet, ndarjet) etj,

•             Disa sëmundje të rënda, lindjet ku nevojat e organizmit për vitamina e kripëra janë më të shtuara

•             Anemia, kequshqyerja, sëmundje endokrine (p.sh të tiroides)

•             Medikamentet (sidomos kimioterapia)

•             Sëmundjet e lëkurës të lokalizuara në kokë

•             Traumat dhe agresionet ndaj flokut

•             Dietat, dhe çrregullimet ushqimore

•             Përdorimi kimikateve

•             Ekspozimi ndaj rrezatimeve të ndryshme etj.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.