Sikurse narracioni edhe  muzika është një trashëgimi humane universale në të gjitha kulturat ndër qindra vite. Ajo ka një efekt unik në tru pasi nxit përgjigje të fuqishme emocionale. Zbulime të reja tregojnë se trajnime gjithëpërfshirëse muzikore ndikojnë  strukturën dhe funksionin e rajoneve të ndryshme të trurit, mënyrën sesi këto regjione komunikojnë gjatë krijimit të muzikës dhe sesi truri interpreton dhe integron informacionet që vijnë nga shqisat. Muzika modelon trurin në shumë mënyra, aq sa shkencëtarët mendojnë se ka shumë për të zbuluar rreth mënyrës sesi truri përgjigjet ndaj saj.

Kërkime të mëparshme dëshmojnë se formacioni që lidh dy hemisferat e trurit i quajtur trupi kalloz është më i madh te muzikantët. Trupi kalloz është grumbullimi më i madh i lëndës së bardhë në tru dhe ka përmbajtje të lartë mieline. Mielina është lëndë mbrojtëse me natyrë lipidike që mbështjell nervat dhe rrit shpejtësinë e tejçimit të informacionit. Lind pyetja: A mund të jetë e mundur që muzika të ketë fuqinë e përmirësimit të komunikimit midis dy hemisferave?

Në lidhje me këtë në Finlandë u bë një studim gjatë të cilit u përdorën skanimet fMRI për të parë trurin e personave të ndarë në dy grupe, i pari përbëhej nga instrumentistë profesionistë  si pianist, violinist ndërsa grupi i dytë nga persona që nuk kishin luajtur asnjëherë në mënyrë profesionale një instrument muzikor.

Pasi subjektet u futën në skaner, u ekspozuan ndaj tre pjesësh muzikore të rrymave të ndryshme: klasike, tango argjentinase dhe rok. Studiuesit kërkonin për sinjale të aktivitetit neurologjik në të dyja hemisferat e trurit dhe ashtu sikurse dyshonin shenjat e aktivitetit në hemisferat e instrumentistëve ishin shumë herë më simetrike se në grupin tjetër.

Simetria më e madhe e këtij aktiviteti  u vu re në skanerët e atyre që luanin instrumente me tastierë. Shkencëtarët sugjeruan  se kjo simetri  midis hemisferave ishte kinetike pra lidhej me simetrinë e lëvizjeve fizike gjatë luajtjes së instrumentit. Kjo do të thotë së instrumentistët  që përdorin në mënyrë të njëjtë të dyja duart dhe gishtat janë më të prirur të kenë një simetri më të madhe të aktivitetit neurologjik të dy hemisferave të trurit.

Referencat:

  • http://www.iflscience.com/brain/practising-music-improves-symmetry-your-brain
  • http://www.sciencedaily.com/releases/2013/11/131112163216.htm
  • http://www.livescience.com/46008-unusual-ways-music-affects-brain.html
  • http://www.healthline.com/human-body-maps/corpus-callosum
  • Imazhi I adaptuar nga: http://www.focusfeatures.com/the_pianist/photos

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.