77659614e7b122d66d6575bc2943e12dNdotja e ajrit eshte prania e shtuar e grimcave, molekulave biologjike ose materialeve të tjera të dëmshme në atmosferën e Tokës, që shkaktojnë sëmundje, alergji, vdekje te njerëzit, dëmtim të organizmave të gjallë, si p.sh: kafshë, bimë ushqimore, ose mjediset natyrore apo të ndërtuara. Ndotja e ajrit mund të vijë edhe nga burime antropogjenike ose natyrore.   

Deri tani, ndotja e ajrit ka qenë e lidhur me probleme shëndetësore ku përfshihen astma, bronkiti, kanceri i mushkërive, sëmundjet kardiake dhe më shumë. Tani një studim i ri sugjeron se një tjetër problem shëndetsor mund ti shtohet kësaj liste të gjatë, obeziteti. 

Evidencat epidemiologjike na bëjnë të ditur se ndotja e ajrit është një faktor risku për obezitetin e fëmijërisë. Të dhëna eksperimentale të kufizuara kanë treguar se ekspozimi i hershëm në një ambient jo të pastër rrit ndjeshmërinë në dietë, duke stimuluar shtimin në peshë në moshën e rritur ose rritjen e rezistencës ndaj insulinës, rritjen e indit dhjamor, dhe inflamacionin.

Një studim, i publikuar në gazetën e Federatës së Shoqërive Amerikane për Biologjinë Eksperimentale, zbuloi se minjtë, të cilët thithnin ajër të papastër shtonin në peshë vetëm 3 javë pas ekspozimit. Ata, gjithashtu, patën mosfunksionim kardiorespirator dhe ulje të funksioneve metabolike.

Për studimin, e kryer nga Universiteti Duke, SHBA, kërkuesit ekspozuan minjtë si në ajër të ndotur Beijing ashtu edhe në ajër të pastër. Ata qëndruan 19 ditë në eksperiment. Minjtë që u ekspozuan në ajër të pa filtruar kishin 50% më të lartë nivelin e kolesterolit të keq-LDL, 46 % trigliceride më të larta dhe 97% kolesterol total më të lartë, po ashtu edhe nivel më të lartë të rezistencës ndaj insulinës.

Ndërsa minjtë që hanin të njëjtën sasi ushqimi gjatë studimit, ata që thithnin ajër të ndotur shtuan në peshë  më shumë, në 8 javë studim, specifikisht, minjtë femra ishin 10% më të rëndë, dhe meshkujt 18% më të rëndë se homologët e tyre që thithën ajër të pastër. 

Kërkuesit zbuluan se ajri i ndotur shkaktonte disfunksion metabolik tek minjtë, duke çuar në obezitet dhe rritje të prekusorëve diabetikë krahasuar me minjtë e grupit tjetër. 

Që kur inflamacioni kronik është njohur si një faktor kontribues në obezitet dhe që kur sëmundjet metabolike si diabeti dhe obeziteti kanë lidhje me njëra tjetrën; këto zbulime sigurojnë evidenca të qarta se ekspozimi për një kohë të gjatë në ajër të ndotur rrit riskun për obezitet.

Studimet e mëparshme kanë treguar se ndotja e ajrit shkakton stres oksidativ ( oksidimin e lipideve) dhe inflamacion në varësi të TLR2/4, një receptor shumë i rëndësishëm, njohës i patogjenëve, që ka një rol kyç në inflamacion, diabet dhe dëmtime  në organe dhe sistemin qarkullues, si dhe rrit riskun e vdekjeve.   

Shkencëtarët mendojnë që, nëse transferohen dhe vërtetohen në njerëz, këto gjetje do të mbështesin nevojën urgjente për të reduktuar ndotjen e ajrit, duke pasur parasysh rritjen e obezitetit në botën e sotme që është shumë e ndotur.

Nga ana tjetër, ata pohojnë rolin e obezitetit në ndotjen e ajrit dhe lirimin e karbonit. Sipas zbulimeve që kërkuesit gjetën, kjo ndodh sepse një popullsi e shëndoshë ka nevojë për 19% më tepër energji ushqimore që të plotësojë nevojat e saj. Siç shpjegojne shkencëtarët, sa më shumë të peshojë trupi, aq më të vështirë e ka të lëvizë dhe prandaj bëhemi më të varur nga makinat.  Kështu ata faktuan përdorimin e madh të makinave nga mbipesha. Gjithashtu prodhimi i mishit dhe përgatitja e ushqimeve  shkakton 20% të lirimit global të karbonit në ajër.

Por, ne nuk e dimë nëse është ndotja e ajrit ajo që shkakton obezitetin apo obeziteti është përgjegjës për ndotjen e ajrit.  Kjo çështje i përket ekologjisë gjenetike. Ndoshta e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike. Ato mund të kenë ndikim të njëjtë në incidencën e shumë sëmundjeve.

Sigurisht që ka zgjidhje të mundshme në horizont, duke përfshirë prodhimin e materialeve të ndërtimit të afta për të kapur smogun  si dhe rritja e hapësirave të gjelbra. Qytete si Oslo po parashikojnë një të ardhme të afërt ku  makinat të jenë të ndaluara tërësisht. Le të shpresojmë që këto zbulime të nxisin qeveritë të rregullojë këtë problem njëherë e përgjithmonë.

 

Referenca:

  1. http://www.upi.com/Health_Neës/2016/02/22/Study-Air-pollution-increases-risk-for-obesity-diabetes/6451456146674/,
  2. http://www.wired.co.uk/article/exposure-to-air-pollution-obesity,
  3. http://time.com/4233241/air-pollution-obesity-diabetes/,
  4. http://www.ibtimes.co.uk/air-pollution-increases-obesity-risk-urgent-action-needed-improve-air-quality-1545766
  5. http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26891735