Viroza, ose gripi, është një sëmundje respiratore e shkaktuar nga një virus. Gripi është mjaft ngjitës dhe zakonisht përhapet nga kolla dhe tështimat e personit të infektuar. Gripi është më i zakonshëm në periudhën e vjeshtës dhe dimrit. Periudha dhe kohëzgjatja e gripit sezonal varion, por aktiviteti i virozës fillon dhe rritet në tetor. Periudha kulmore e gripit është muaji dhjetor dhe mars, megjithëse kjo mund të zgjasë deri nga fundi i majit.

Njerëzit me grip zakonisht kanë disa ose të gjitha simptomat e mëposhtme:

  • Temperaturë ose ethe
  • Kollë
  • Gërvishtje të fytit
  • Hundë të bllokuara
  • Dhimbje muskulare
  • Dhimbje koke
  • Lodhje(këputje)
  • Disa njerëz mund të kenë të vjella dhe diarre, megjithëse këto janë më të zakonshme te fëmijët sesa te të rriturit.

Është e rëndësishme të theksohet që jo të gjithë njerëzit me grip kanë temperaturë.

Shumë nga ekspertët besojnë se gripi përhapet kryesisht përmes spërklave që vijnë nga kolla, tështima apo e folura e njerëzve me grip. Këto spërkla mund të arrijnë në gojën ose hundët e njerëzve që janë aty pranë. Gjithashtu një person mund ta marrë gripin duke prekur sipërfaqe ose objekte që kanë virusin e gripit mbi to dhe pastaj të prekin gojën, sytë ose hundët e tyre.

Periudha ngjitëse                              

Ju mund t`ja ngjisni gripin dikujt tjetër pa e kuptuar që jeni sëmurë, njëlloj sikurse jeni me grip. Në të shumtën e rasteve të rriturit mund të infektojnë të tjerët 1 ditë para se të shfaqën simptomat dhe deri 5 në 7 ditë pasi janë sëmurë. Disa njerëz, sidomos fëmijët dhe njerëzit me imunitet të dobët, mund të infektojnë të tjerët për një periudhë akoma më të gjatë.

Shumica e njerëzve me grip mund të kenë simptoma të lehta, të cilat nuk kanë nevojë për mjekim me antiviralë dhe e kalojnë në më pak se një javë gripin. Ndërkohë që disa të tjerë mund të kenë komplikacione të gripit qe mund të çojnë në hospitalizim dhe ndonjëherë në vdekje. Pneumoni,bronkit, infeksion sinusesh dhe infeksion veshi janë disa nga shembujt e komplikacioneve të gripit. Gripi mund të përkeqësojë sëmundjet kronike. Për shembull, ata që vuajnë nga astma mund të kenë kriza astmatike kur janë me grip dhe ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës mund të kenë përkeqësim të gjendjes së tyre. Grupet më vulnerabël për komplikacionet e gripit janë:

  • Fëmijët më të vegjël se 5 vjec, vecanërisht ato nën 2 vjec
  • Të rriturit mbi 65 vjec
  • Gratë shtatzëna (dhe gratë 2 javë pas lindjes).

Menaxhimi i gripit në kushte shtëpiake         

Zgjidhja më e mirë është pushimi në shtëpi, qëndrimi në të ngrohtë dhe sa më shumë ujë për të shmangur dehidratimin. Mund të merrni paracetamol ose ibuprofen për të ulur temperaturën dhe qetësuar dhimbjet nëse e keni të nevojshme.

Trajtimi

Antiviralët veprojnë duke parandaluar shumfishimin e virusit të gripit. Ata nuk e kurojnë gripin, por ndihmojnë në shkurtimin e kohëzgjatjës dhe lehtësimin e simptomave të kësaj sëmundjeje.

Antibiotikët nuk jepen për grip pasi nuk kanë efekt ne viruse, megjithëse mund të jepen në rastet e komplikacionëve të gripit, si infeksionet respiratore të shkaktuara nga bakteriet.

Parandalimi i gripit

Ja disa nga mënyrat e parandalimit të gripit:

  • Vaksina e gripit, vaksina e përvitshme e gripit ndihmon në reduktimin e riskut për grip çdo vit, megjithëse nuk është 100% efektive sepse nuk vepron kundër të gjithë tipeve të viruseve.
  • Higjienë e mirë(si larje e shpeshtë e duarve dhe pastrimi)
  • Ushqyerje e shëndetshme:

Çfarë rekomandohet të hani ose të pini

  • Banane dhe oriz për të zbutur një stomak të shqetësuar dhe diarrenë
  • Ushqime që përmbajnë vitamin C, p.sh specat
  • Boronicat frenojnë diarrenë si veprojnë si aspirinë natyrale pasi ulin temperaturën dhe lehtësojnë dhimbjet
  • Karrota, pasi përmbajnë beta-karoten
  • Specat djegëse hapin sinuset dhe ndihmojnë në shkëputjen e sekrecioneve bronkiale
  • Boronica e kuqe ndihmon në parandalimin e infeksionëve urinare
  • Çaj jeshil dhe i zi shërbejnë si antibiotik natural dhe kanë efekt frenues të diarresë

Udhëzimet tjera

  • Mos mbuloni me duar kollën dhe tështimat
  • Mos prekni sytë
  • Bëni rregullisht ushtrime fizike, nëse ushtroheni rregullisht reduktohet mundësia që t`ju zërë gripi. Në fakt njihet që ushtrimet përmirësojnë qarkullimin e qelizave imunitare në gjak. Puna e këtyre qeliave është neutralizimi i patogjenëve në trupin tuaj. Sa më mirë të qarkullojnë këto qeliza, aq më mirë e realizon mbrojtjen sistemi imunitar ndaj viruseve dhe patogjenëve të tjerë që ndodhen në trup.
  • Mos pini duhan
  • Mos pini alkool
  • Qetësohuni
  • Antiviralët.

Referenca:

  • http://www.nhs.uk/Conditions/Flu/Pages/Prevention.aspx
  • http://www.medicalnewstoday.com/articles/15107.php
  • http://www.webmd.com/cold-and-flu/cold-guide/flu-cold-symptoms
  • https://www.cdc.gov/flu/about/disease/index.htm
  • https://www.health.ny.gov/diseases/communicable/influenza/seasonal/what_everyone_should_know.htm