Infeksionet vaginale

Infeksionet vaginale janë ndër infeksionet më të përhapura që femrat përjetojnë gjatë jetës së tyre. Është vlerësuar se çdo 1 në 2 femra do të ketë një infeksion vaginal në një pikë të jetës së tyre. Vagina e çdo femre ruan një ekuilibër midis ndryshimeve hormonale dhe bakterieve që gjenden natyrisht aty. Vagina është një ndër vendet më të pastra të trupit tuaj pasi ka zhvilluar një mekanizëm natyral vet-pastrimi duke prodhuar një lëng në ngjyrë qumështi dhe relativisht pa aromë i cili ndryshon nga një femër tek tjetra, si edhe gjatë ciklit menstrual. Infeksionet vaginale ndodhin kur ky ekuilibër ndryshon dhe ju përjetoni një pezmatim (inflamacion) vaginal. Zakonisht infeksionet vaginale shkaktojnë ndryshim të ngjyrës, sasisë dhe aromës së derdhjes vaginale, irritim, të kruara, djegie kur urinoni, nevojë për të urinuar shpesh, shpërthim puçrrash, dhimbje gjatë marrdhënieve seksuale etj. Ekzistojnë lloje të ndryshme të infeksioneve vaginale dhe për këtë arsye simptomat dhe trajtimi i tyre varet nga lloji i infeksionit që keni. Shkaktarët kryesorë të këtyre infeksioneve janë përdorimi i antibiotikëve, metodat e planifikimit familjar (kontraceptivët), medikamente vaginale, stresi, çekuilibrimi hormonal, dushet, mardhëniet seksuale, infeksionet e transmetuara seksualisht (STI), ndryshimi i shpeshtë i partnerëve etj. Disa prej infeksioneve vaginale transmetohen seksualisht. Ky artikull do të sjellë informacione për infeksionet më të zakonshme, simptomat, trajtimin dhe parandalimin: Infeksionet vaginale mykotike

forma-te-ndryshme-te-infeksioneve-mykotike

 

Infeksionet vaginale mykotike

Infeksionet vaginale mykotike ndryshe njihen edhe si vaginiti vulvular dhe shkaktohen nga Candida albicans që është vlerësuar të shkaktojnë rreth 92% të të gjitha infeksioneve mykotike. Candida hynë në familjen e kërpudhave dytrajtëshe pasi rritet në dy forma, si kërpudhë dhe si myk. Myku gjendet natyrisht në çdo pjesë të trupit, sidomos në zonat e lagështa dhe të ngrohta të trupit. Siç e përmendëm më lart, vagina ruan një mjedis të balancuar midis mykut dhe bakterieve e shumë mikroorganizmave të tjerë që gjenden natyrisht në vaginë. Një bakterie e quajtur laktobacili është përgjegjëse për prodhimin e një acidi që ndalon rritjen e jashtëzakonshme (mbi normale) të mykut. Megjithatë, kjo përzierje e balancur mikroorganizmash në vaginë ndonjëherë ndërpritet dhe myku rritet mbi nivelet normale duke rezultuar në kruarje, derdhje vaginale, lëkurë të irrituar, skuqje të vulvës, dhimbje dhe djegie sidomos gjatë urinimit si edhe simptoma të tjera që ndryshojnë nga një femër tek tjetra. Disa faktorë e rrisin rrezikun për infeksione mykotike sic janë: përdorimi i antibiotikëve, nivele të larta estrogjeni, nëse keni sistem mbrojtje të dobët, diabet të pakontrolluar, shtatzënia, aktiviteti seksual (edhe pse infeksionet mykotike nuk klasifikohen si infeksione të transmetueshme seksualisht, nëse partneri ka infeksion ju mund të merrni myk nga partneri dhe kjo ndërpren ekuilibrin vaginal të mykut dhe rezulton në infeksion më vonë).

antibiotic-usage

 

Trajtimi

Ekzistojnë trajtime të ndryshme për infeksionet mykotike të cilat varen tek avancimi dhe ashpërsia e infeksionit. Nëse keni infeksion mykotik të thjeshtë me simptoma të lehta, doktori mund të ju përshkruajë ilaçe antimykotike të cilat variojnë nga 1-7 ditë. Ilaçet që trajtojnë infeksionet mykotike janë clotrimazole, butoconazole, miconazole dhe terconazole. Disa nga këto ilaçe mund të blihen pa reçetë doktori, kurse disa të tjera merren vetëm me reçetë. Një tjetër mënyrë trajtimi për infeksionet mykotike të pakomplikuara është një mjekim që merret si një dozë e vetme nga goja. Diflucan është një ndër ilaçet më të përdorura në këtë mënyrë dhe hyn në familjen e flukonazoleve. Ky ilaç mund të përdoret edhe në rastet kur infeksioni është më i ashpër dhe i komplikuar; rekomandohet të merret 2-3 herë me nga 3 ditë në mes. Në rastet kur simptomat janë më të komplikuara dhe të ashpra, disa ilaçe të tjera janë më efektive. Doktori mund të ju përshkruaj një regjiment prej 7-14 ditë trajtimi me azole të cilat largojnë infeksionin mykotik. Këto ilaçe janë në formën e hapave, krem vaginal ose pomadë, ose supozitor (ilac-hap i ngurtë që vendoset brenda vaginës ku shkrihet dhe lufton infeksionet). Përveç këtyre mjekimeve, po kryhen studime për të vërtetuar përdorimin mjekësor të disa mjekimeve alternative si acidi borik dhe kosi. Acidi borik është një ilaç që merret vetëm me reçetë dhe vendoset brenda vaginës. Rezultatet e disa studimeve kanë zbuluar se acidi borik mund të kurojë disa forma të rralla të Candidës të cilat i rezistojnë ilaçeve azole. Kosi është një tjetër alternative që po testohet për kurimin e infeksioneve mykotike. Femrat e përfshira në këto studime kanë raportuar se ngrënia apo aplikimi i kosit në vagine ua ka lehtësuar ashpërsinë e simptomave. Këto studime kanë treguar se kosi mund të jetë edhe më efektiv se disa ilaçe antimykotike si clotrimazole dhe placebo, por këto studime përfshinë një numër të vogël femrash dhe vërtetësia e këtyre studime është në shqyrtim e sipër.

ilace-per-infeksionet-mykotike

 

Parandalimi

Edhe pse infeksionet mykotike janë shumë të përhapura, ka disa mënyra të thjeshta të cilat ndihmojnë parandalimin e tyre. Dieta është shumë e rëndësishme; rekomandohet një dietë e pasur me fruta, perime, prodhime të payndyrshme të qumështit dhe drithëra. Kontrollimi i nivelit të sheqerit në gjak dhe menjanimi i përdorimit të antibiotikëve të panevojshëm mund të parandaloj infeksionet mykotike. Veshja e duhur gjithashtu zvogëlon rrezikun për infeksione mykotike; rekomandohet veshja e pantallonave të gjera, fund dhe të brendshme pambuku. Shmangni banjot e nxehta dhe rrobat e lagura; ndërroni kostumin e banjos dhe rrobat e stërvitjes pas këtyre aktiviteteve. Gjatë ciklit menstrual ndryshoni tamponin shpesh. Reduktoni përdorimin e produkteve të ndryshme (aromatike) gjatë dushit pasi këto ndikojnë tek ekuilibri vaginal dhe mund të rezultojnë në infeksioni mykotike.

Infeksionet vaginale shfaqen me simptoma shumë të ngjashme, por shkaktohen nga mikroorganizma të ndryshëm dhe për këtë arsye trajtimi i tyre ndryshon. Është shumë e lehtë të identifikosh një infeksion vaginal per një tjetër, prandaj është shumë e rëndësishme që ju të konsultoheni me një doktor përpara përdorimit të ndonjë ilaçi. Informacioni i paraqitur në këtë artikull nuk ka si qëllim në asnjë mënyrë të zëvëndësoje këshillën e doktorit por të pasurojë dijën tuaj në lidhje me infeksionet vaginale mykotike.

 

COPYRIGHT: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Detina Zalli dhe Kristjana Frangaj (Cornell University-Department of Molecular Biology and Genetics).

 

Referenca:

Harlow BL, Stewart EG. A population-based assessment of chronic unexplained vulvar pain: have we underestimated the prevalence of vulvodynia? J Am Med Womens Assoc. 2003;58(2):82–8.

Reed BD. Vulvodynia: diagnosis and management. Am Fam Physician. 2006;73(7):1231–8.

Nyirjesy P. Chronic vulvovaginal candidiasis. Am Fam Physician. 2001;63(4):697–702.

http://www.mayoclinic.org/diseases

https://www.womenshealth.gov