Çdo natë pothuajse secili person kalon përmes një ndryshimi të veçantë: ne lëmë anash gjendjen zgjuar dhe për orë të tëra kalojmë në botën e gjumit dhe ëndrrave. Të fjeturit është një gjendje në të cilën njerezit dhe kafshët e tjera pushojnë.  Karakterizohet  nga përgjigjja e reduktuar ndaj stimujve të jashtëm, aktiviteti lokomotor i kufizuar dhe rikthimi i shpejtë në gjendjen e zgjuar. Gjatë fjetjes ne zakonisht kalojmë nëpër 5 fazat e gjumit:

Faza 1 – 4 dhe faza REM (Rapid Eye Movement –lëvizja e shpejtë e syve). Gjatë fazave të ndryshme, funksione të ndryshme fiziologjike mund të jenë më shumë aktive (pergjatë fazës REM) apo më pak aktive e më shumë stabile (përgjatë fazës NREM). Gjumi ka qenë dhe vazhdon të jetë një enigmë për shkencëtarët. Ende vazhdojnë përpjekjet për të zbuluar rëndesinë e gjumit tek njeriu dhe deri më tani një gjë dihet me siguri: gjumi është i nevojshëm për mbijetesë.

Rregullimi i gjumit bëhet pothuajse në të njëjtën mënyrë sic behet rregullimi i të ushqyerit e frymëmarrjes duke pasqyruar kështu rëndësinë që ka në shëndetin dhe mirëqenien tonë. Gjatë 50 viteve të fundit sasia e gjumit që ne bëjmë çdo natë është reduktuar dukshëm, nga nëntë ore gjumë në shtatë ore gjumë për natë. Efektet e përditshme të stilit të ri jetësor po mundësojnë një orar gjumi jo të plotë dhe si rezultat njerezit po bëhen më të ngadaltë e të paqëndrueshem; performanca në punë po zvogëlohet; dhe ka raste kur pagjumësia është shkaktare e aksidenteve të ndryshme. Dëshmi të shumta lidhin pamjaftueshmërine e gjumit me shumë sëmundje të ndryshme.  

Epidemia e deprivimit të gjumit përkon me epideminë e obesitetit, diabetit dhe kancerit. Një grup i hulumtuesve nga Kanadaja të cilët ndoqën një eksperiment që përfshiu 200 njerëz dhe në kohëzgjatje prej 6 vitesh zbuluan se subjektet të cilët fjetën vetëm 5 deri në 6 orë për natë shtuan në peshë mesatarisht 2 kilogramë më shumë se ata të cilët fjetën 7 deri ne 8 orë për natë. Një shpjegim i thjeshtë për këtë është aktiviteti i ulët fizik sepse ndihen të lodhur nga pagjumësia. Por, në anën tjetër shkencëtari Patel supozon se ekziston një ndërlidhje biologjike direkte ndërmjet të fjeturit dhe konsumimit të ushqimit. Pas një kohe të gjatë pa ushqim stomaku ynë i zbrazur liron hormonin induktues të oreksit të quajtur ghrelin. I njohur edhe si sinjali “më ushqe” shkaton uri dhe etje, përderisa në anën tjetër qelizat dhjamore dërgojnë mesazhet konkuruese të tyre, hormonin e quajtur leptin duke i bërë me dije trurit se trupi ka sasira të mjaftueshme energjie. Bazuar në këtë, studimi i parë në popullatën e gjerë është bërë për të demonstruar lidhjen ndërmjet hormoneve dhe gjumit.  Duke përfshirë më shumë se 1000 vullnetarë, studimi i bërë në Wisconsin ka konstatuar se njerezit të cilët nuk bëjnë gjumë të mjaftueshëm kanë 15% më shumë ghrelin dhe 16% më pak leptin krahasuar me ata të cilët kanë fjetur mjaftueshëm. Këto ndryshime mund të duken jo të rëndësishme por rritja prej 15% e ghrelinës është shumë e ngjashme sikurse rritja e vërejtur tek vullnetarët në dietë strikte dhe që ndiheshin “tmerrësisht të uritur”.

Rezultate të ngjashme janë vërejtur edhe në studimin e bërë në Universitetin e Chicago-s, Illinois, ku Eva Van Cauter arriti në perfundimin se subjektet të cilët kishin nivele më të mëdha të ghrelinës ndjeheshin më të uritur, me oreks më të madh sidomos për karbohidrate.

Hulumtuesit kanë identifikuar një neurotransmetues tjetër i prodhuar nga hipotalamusi dhe që mund të ndikojë në obesitet. Neurotransmetuesi i quajtur oreksin me sa duket është pjesë e një mekanizmi evoulucionar me qëllim për të mbajtur zgjuar njerezit e uritur. Kur nivelet e glukozës në organizëm janë në vlera të ulëta, njerezit normalisht duhet të ndjehen të përgjumur por nuk ndjehen për arsye se uria shkakton prodhimin e oreksinës nga efekti i se cilës qelizat në hipotalamus bëjnë përdorimin më efikas të niveleve të mbetura të glukozës. “Nëse neuronet nuk kanë oreksin, kohë pas kohe një pjesë e rëndësishme e trurit bie nën nivelet kritike dhe thjeshtë ndalon” – pasuar me narkolepsi, pohon Dodadek, biolog molekular në qendrën mjekësore të Universitetit të Texas në Dallas.

Nën rrethana normale dhe në individë të shëndoshë organizmi ynë zbërthen karbohidratet në sheqerin bazë glukozë. Hulumtimet e fundit paralajmerojnë se deprivimi i gjumit rrit mundësinë edhe për sëmundjen e diabetit të tipit 2. Edhe pse trupi prodhon sasi të mjaftueshme të insulinës, qelizat nuk perthithnin të gjithë sasinë e glukozës, duke çuar kështu në rezistencë ndaj insulinës.

Deprivimi i gjumit gjithashtu është implikuar edhe në sëmundjen e kancerit. Ekziston lidhja mes të qëndruarit zgjuar gjatë natës – nderrimet e natës dhe kancerit të prostatës dhe atij kolorektal. Në dhjetor të 2007 departamenti i kancerit i organizatës botërore të shëndetësisë ka konkluduar se “nderrimet e punës që përfshijnë çrregullimet e ciklit cirkadian me sa duket janë kancerogjene për njeriun”. Ekzistojnë shumë studime që ndërlidhin prodhimin e melatoninës – sinjali i trupit për errësirë, me incidencën e kancereve tek njerezit, por mekanizmi i mbrojtjes kundër kancerit ende nuk është i qartë. Ka supozime se melatonina shteron radikalet e lira, ka një efekt të mundshëm në hormonin estrogjen, ose ka të bëjë me acidin linoleik. Mirëpo lidhja mes melatoninës dhe kancerit mbetet ende për t’u diskutuar.

Edhe pse ne i takojmë një shoqërie që djeg qiriun në dy anët, ku njerezit rrijnë zgjuar gjatë gjithë natës për të studiuar, punuar, ose për argëtim, ne duhet ta mbajmë në mendje se injorimi i zanës së gjumit mbart në vete pasoja si afat-shkurtëra ashtu edhe afat-gjata.

 

Referencat:

https://www.sciencedaily.com/releases/2016/07/160728143247.htm

http://healthysleep.med.harvard.edu/healthy/matters

http://healthysleep.med.harvard.edu/healthy/science

https://www.sleepassociation.org/patients-general-public/what-is-sleep/

http://www.sleephealthjournal.org/article/S2352-7218(15)00015-7/pdf

http://www.huffingtonpost.com/laiza-king-/6-ways-to-improve-your-sl_b_10223580.html