…të mësuarit dhe kujtesa, dy elementët kyçe që transformojnë ndjesinë e pëlqimit në varësi.

Varësia është një sëmundje kronike e trurit që përfshin përdorimin e pashmangshëm të substancave pavarësisht pasojave të dëmshme në shëndet dhe në marrëdhëniet shoqërore. Individi “skllavërohet” ose “lidhet ngushtësisht” me këto substanca të cilat dëmtojnë gjykimin dhe mirëqënien emocionale.

Kjo sëmundje ushtron një ndikim të fuqishëm në tru dhe në të githë trupin që manifestohet nga këto karakteristika:

1. Një paaftësi kronike për të qëndruar larg përdorimit të substancave apo pjesemarrjes në aktivetete  të caktuara

2. Humbje e kontrollit

3. Nevojë për të ripërjetuar këto eksperienca shpërblyese

4. Mohimi i problemit nga i cili vuan

5. Përgjigje emocionale jofunksionale

Konceptet rreth varësisë kanë një ndikim të fuqishëm në mënyrën se si shoqëria i njeh dhe i trajton personat që vuajnë dhe ashtu siç është provuar historikisht rreth sëmundjeve të trurit dhe atyre të sjelljes njerëzore ekziston një paragjykim i vështirë për tu kapërcyer. Në vitin 1930, kur kërkuesit filluan të hulumtojnë për herë të parë mbi shkaqet e varësisë, ata besonin se personat që zhvillonin sjellje varësie u mungonte vullneti ose kishin një përqasje morali të ulët. Të tjerë kërkues besonin se varësia është thjesht një lloj justifikimi për të shmangur përgjegjësitë që vijnë si pasojë e varësisë (Cartner et al., 2009: 25).

Gjithsesi studimet e kryera nga neurokërkuesit dhe imazhet skanerike të trurit kanë ndihmuar që të mësohet më shumë rreth këtij procesi kompleks dhe ta paraqesin sjelljen e varësisë si pasojë direkte e dëmtimit të sistemit të shpërblimit në tru.

Çfarë është sistemi i shpërblimit dhe si funksionon ai?

 

Sistemi i shpërblimit është një grup strukturash në brendësi të trurit që aktivizohen nga stimuj shpërblyes nga të cilat më të fuqishmet janë pirja, ushqimi, seksi dhe ndërveprimet shoqërore. Në një person normal ky sistem përforcon sjelljet që janë thelbësore për mbijetesën me një ndjenjë kënaqësie. Për shembull: ju kërkoni ushqim sa herë që ndiheni të uritur sepse ky sistem siguron që ju ta mbani mend kënaqësinë që shoqëron këtë eksperiencë jetësore.

 

Si “kodohet” ndjesia e kënaqësisë në tru?

Truri ynë e regjistron kënaqësinë në të njëjtën mënyrë pavarësisht nëse ajo origjinon nga alkooli, barnat psikoaktive, përfitimet monetare apo nga një marrëdhënie seksuale. Substanca përgjegjëse për këtë lloj “kodimi” është dopamina, një neurotransmetues që çlirohet kryesisht nga nucleus accumbens, një grumbull trupash të qelizave nervore që shtrihet poshtë korteksit cerebral, e njohur ndryshe si “qendra e kënaqësisë” në tru.

Cili është ndryshimi midis ndjenjës së kënaqësisë dhe asaj të varësisë në nivelin neurokimik?

Drogat si kokaina, alkooli, opioidet si kodeina, fentanyli (Actiq, Fentora) madje dhe aktivitetet e tilla si seksi, bixhozi veprojnë në të njëjtën mënyrë si sinjalet natyrale të shpërblimit veçse e aktivizojnë sistemin në një gradë më të madhe. Elementet kyçe që predispozojnë që një substancë apo aktivitet i caktuar të shndërrohet në varësi janë:

  • Shpejtësia me të cilën promovojnë çlirimin e dopaminës
  • Intesiteti i çlirimit
  • Qëndrueshmëria e këtij procesi
  • Rruga e administrimit: është parë që tymosja apo marrja e një droge në mënyrë injektabël (intravenoze) në krahasim me marrjen në formë tablete shkakton një rritje më të fortë dhe më të shpejtë të nivelit të dopaminës

Kërkuesit dikur besonin që ndjesia e kënaqësisë që shoqëron procesin e marrjes së drogave dhe substancave të tjera ishte e mjaftueshme që të shkaktonin sjellje varësie. Por studimet më të fundit tregojnë që dopamina nuk kontribuon vetëm në eksperiencën e kënaqësisë por ka gjithashtu një rol domethënës në të mësuarit dhe kujtesën, dy elementët kyçe që transformojnë ndjesinë e pëlqimit në varësi.

Praktikisht, pas ekspozimit ndaj një sinjali shpërblyes siç është psh ngrënia e një ushqimi të preferuar, dopamina e çliruar nga nucleus accumbens udhëton drejt amygdalës (zonë e trurit përgjegjëse për krijimin e emocioneve ushqimi ishte i shumë i shijshëm), hipokampusit (zonë e trurit që përfshihet në formimin e kujtesës le të mbajmë mend gjithçka që lidhet më këtë eksperiencë: restorantin ku isha, personin me të cilin u shoqërova, ngjyrën dhe shijen e ushqimit) dhe korteksit prefrontal (zona e trurit përgjegjëse për planifikimin dhe ekzekutimin e detyrave ‐ qëndro I fokusuar te ushqimi).

Për më tepër, sipas një teorie të fundit që po zhvillohet besohet se dopamina ndërvepron me një neurotransmetues tjetër, glutamatin, duke zotëruar kështu sistemin e shpërblimit të trurit.

Çfarë ndodh kur ne bëhemi të varur?

Truri adaptohet në një mënyrë të tillë që e bën substancën ose aktivitetin më pak të pëlqyeshëm. Receptorët e dopaminës tashmë janë të mbingarkuar dhe truri përgjigjet duke prodhuar më pak dopaminë ose duke eleminuar një numër të madh të receptorëve dhe kështu neurotransmetuesi ka një ndikim më të vogël në sistemin e shpërblimit të trurit. E njëjta sasi substance ose i njëjti aktivitet prodhon tashmë një efekt të pakësuar. Ky fenomen njihet me emrin tolerancë.

Në këtë pikë ndjesia e dëshirës së papërmbajtshme bëhet mbizotëruese. Kënaqësia që shoqëronte varësinë pakësohet, por kujtesa e eksperiencave të mëparshme dhe dëshira për ta rikrijuar atë mbetet duke çuar në këtë mënyrë në një përgjigje dëshirë e papërmbajtur‐ sa herë individi ndeshet me shenja nga mjedisi rrethues. Kjo përgjigje gjithashtu kontribuon në rikthimin e varësisë edhe pas një periudhe të gjatë përmirësimi. Për shembull: sa herë një person i cili është i varur nga alkooli shikon një shishe uiski, ai mund të fillojë të pijë sërish.

 

Çfarë mund të shkaktojë varësi?

Askush nuk fillon të konsumojë diçka apo të përfshihet në një aktivitet me pretendimin që do bëhet i varur prej saj, por shumëkush mbetet në kurth. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) 240 milion njerëz në botë janë të varur nga alkooli, më shumë se 1 miliard pinë duhan dhe rreth 15 milion përdorin droga të injektueshme si psh heroinë.

Provat shkencore sugjerojnë që predispozita gjenetike ka 50% ndikim në probabilitetin për të zhvilluar varësi. Të paturit e një prindi me histori të abuzimit me substancat rrit me 4 herë rriskun e zhvillimit të varësisë. Nga ana tjetër, faktorët mjedisorë ndikojnë në biologjinë e një individi dhe përcaktojnë shkallën me të cilën faktorët gjenetikë do ushtrojnë veprimin e tyre.

Faktorë të tjerë përfshijnë:

  • Përdorimi I vazhdueshëm i barnave për të pakësuar nivelin e stresit, për të përmirësuar performancën, për tu ndjerë mirë ose “high”
  • Traumë e rëndë ose plagosje
  • Çrregullime të shëndetit mendor, sidomos çrregullimet e humorit siç është stresi kronik dhe depresioni
  • Trauma psikologjike që përfshin humbjen e një njeriu të dashur apo vetminë kronike

Njerëzit mund të zhvillojnë varësi ndaj:

  • Alkoolit
  • Marijuanës
  • Kokainës, metamfetaminës dhe anksiolitikëve
  • LSDve dhe haluçinogjenëve të tjerë
  • Inhaluesve si holluesve të bojës dhe ngjitësve
  • Duhanit
  • Qetësuesit e dhimbjes si kodeina dhe oksikodonit, heroinës

Cilat janë efektet e abuzimit me substancat?

Ka 2 komponentë të cilët preken: shëndeti fizik dhe ai mendor.

  1. Efektet fizike përfshijnë:
  • Dëmtim i organeve
  • Imbalancë e hormoneve
  • Kancer (e shkaktuar nga nikotina ose përdorimit të steroidëve)
  • Komplikime të fertilitetit dhe lindje të parakohshme
  • HIV/AIDS
  • Sëmundje gastrointestinale
  1. Efektet neurologjike dhe emocionale përfshijnë sëmundjet mëposhtme që influencojnë shëndetin mendor:
  • Depresioni
  • Ankthi
  • Humbje e kujtesës
  • Agresion
  • Luhatje të humorit
  • Psikoza

Si mund të trajtohen këta pacientë?

Hapi i parë drejt përmirësimit ndaj çdo lloj varësie është njohja dhe pranimi i problemit. Pavarësisht se mund të duket si një situatë e pashpresë, ndryshimi është i mundur me trajtimin dhe mbështetjen e duhur.

Trajtimet e suksesshme kalojnë nëpër disa hapa:

  • Detoksifikimi (procesi me anë të së cilit trupi largon substancat që krijojnë varësi)
  • Këshillimi
  • Barnat (për opioidet, duhani dhe varësia nga alkooli)
  • Vlerësimi dhe trajtimi për sëmundje të shëndetit mendor nga të cilat pacienti vuan në të njëjtën kohë siç është depresioni apo ankthi
  • Ndjekje për një kohë të gjatë për të parandaluar rikthimet

 

Më e rëndësishmja, mos harroni që suksesi është shumë e përpjekjeve të vogla të përsëritura çdo ditë.

“Kam ndenjur larg drogave për 7 vite me rradhë por përsëri çdo ditë mendoj që ta nis përsëri përdorimin e heroinës. Ndonjëherë mendimi është kalimtar por në disa raste më tmerron fakti se sa shumë mendoj për ta përdorur. Sa herë kjo ide po më mbyt rikthehem dhe kujtoj sa I pashpresë isha ato kohë. Shërimi mund të jetë një sforcim I përditshëm, por është një sforcim që mua më jep jetë sot.”

 Jim, profesionist I marketingut

 

Copyright: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Argita Zalli dhe Inva Mamica (Universiteti i Mjekësisë, Tiranë).

 

REFERENCAT:

http://www.asam.org/quality-practice/definition-of-addiction

http://www.health.harvard.edu/newsletter_article/how-addiction-hijacks-the-brain

http://www.health.harvard.edu/staying-healthy/debunking-misconceptions-around-addiction

http://www.cambridge.org/catalogue/catalogue.asp?isbn=9781139558914&ss=exc

http://www.who.int/gho/publications/world_health_statistics/2015/en/

https://psychiatry.org/patients-families/addiction/what-is-addiction

https://www.drugabuse.gov/publications/media-guide/science-drug-abuse-addiction-basics

https://www.summitbehavioralhealth.com/resources/articles/what-is-addiction/

http://www.neuroscientificallychallenged.com/blog/know-your-brain-reward-system

 

IMAZHET JANE PERSHTATUR NGA:

https://www.google.al/url?sa=i&rct=j&q=&esrc=s&source=images&cd=&cad=rja&uact=8&ved=0ahUKEwiVyYv3p7fRAhXG7hoKHRh7ADsQjRwIBw&url=https%3A%2F%2Fwww.sciencenews.org%2Fblog%2Fscicurious%2Faddiction-showcases-brain-flexibility&psig=AFQjCNETq3IV4liiDxcKvlWp5Vx_MwQoGw&ust=1484128562156730

http://www.health.harvard.edu/newsletter/images/M0711a-1.jpg

https://static1.squarespace.com/static/52f42fd9e4b069d0ed72d8a8/t/573260e5f699bbef1cc851f5/1462919406503/?format=750w

https://www.google.al/url?sa=i&rct=j&q=&esrc=s&source=images&cd=&cad=rja&uact=8&ved=0ahUKEwi1orfou7bRAhUTO1AKHVs3A8wQjRwIBw&url=http%3A%2F%2Fwww.addiction-intervention.com%2Faddiction%2Falcoholism%2Fwhich-alcoholics-are-most-likely-to-relapse%2F&psig=AFQjCNEtEEAe555CtEydEY4RAPCDSVsP-A&ust=1484099549124720

https://www.google.al/url?sa=i&rct=j&q=&esrc=s&source=images&cd=&cad=rja&uact=8&ved=0ahUKEwjBheO0z7bRAhWUcFAKHVK9C6MQjRwIBw&url=http%3A%2F%2Fsubstanceabusetreatment.website%2Fdrug-alcohol-addiction-treatment%2F&psig=AFQjCNGkXSwza1Lx9veFSlk-4yNwMlLxWg&ust=1484104760915402