Një grup shënuesish të zbuluar së fundmi duke matur acidet yndyrore në gjak janë në gjendje të identifikojnë nëse dikush është pre-diabetik. Ky zbulim i universitetit “Hawai Cancer Center” lejon mjekët të paralajmërojnë pacientët që janë në rrezik për të zhvilluar diabet. Kjo krijon mundësi për ndryshimin e mënyrës së jetesës dhe shmangien e faktorëve që predispozojnë për këtë sëmundje kronike.

Skuadra e kërkimit zhvilloi një studim kryq seksional me rreth 450 subjekte mbipeshë të ndarë në dy grupe: të shëndetshëm metabolikisht dhe jo, me qëllim që të vëzhgonte shfaqjen e diabetit gjatë një periudhe 10 vjeçare dhe dy studime të tjera paralele për të vlerësuar efektet terapeutike te subjektet që i ishin nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale apo kishin përdorur dieta me pak karbohidrate për tetë javë.

Acidet yndyrore të pasaturuar në një kampion gjaku mund të ndihmojnë në vlerësimin e zhvillimit të sindromit metabolik që përkufizohet si prania e tre nga pesë faktorëve që rrisin rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe diabet: depozitimi i yndyrave në regjionin abdominal, presioni i rritur i gjakut, kolesterol i ulët i llojit HDL, niveli i lartë i glukozës dhe triglicerideve në gjak. Niveli i këtyre acideve mund të devijojë nga norma deri në 10 vjet para diagnostikimit me diabet.

Edhe pse prevalenca e diabetit vjen gjithnjë duke u rritur për grupmoshat mbi 20 vjeç, përqindja e të rriturve që janë të predispozuar apo ende nuk janë diagnostikuar nuk ka ndryshuar. Ndaj është me rëndësi të njohim faktorët që prijnë drejt diabetit, në veçanti diabetit mellitus tip 2:

  • Janë mbi 45 vjeç.
  • Kanë familjarë me diabet.
  • Janë mbipeshë. Është pranuar gjerësisht nga shkencëtarët se obeziteti është faktor predispozues për diabetin, sëmundjet kardiovaskulare, kancerin ndonëse nuk ndodh në të gjitha rastet kështu.
  • Bëjnë jetë sedentare.
  • Kanë hipertension.
  • Kanë vlera të HDL më të ulta se 35mg/dl ose të triglicerideve më të larta se 250mg/dl.
  • Kanë pasur diabet gestational (gjatë shtatzënisë).
  • Kanë sindromën ovarik policistik, çrregullim metabolik që prek sistemin riprodhues te femrat.

Referencat:

  • http://www.sciencedaily.com/releases/2015/10/151030111108.htm
  • http://www.sciencedaily.com/releases/2015/10/151007144838.htm
  • http://www.mayoclinic.org/diseases-conditions/diabetes/expert-blog/prediabetes-and-diabetes-testing/bgp-20146337
  • Imazhi i adaptuar nga: http://vishwaprasadayurvedic.com/Obesity.php

Leave a Reply