Dëmtimet psikologjike sikurse trauma, kanë qenë në qendër të interesit të psikologëve gjatë gjithë këtij shekulli. Një numër i konsiderueshëm i individëve në shoqëri, mund të jenë të ekspozuar apo te kenë përjetuar ngjarje traumatike në jetë. Nga ana tjetër sipas të gjeturave të fundit çrregullimet e depresionit janë disa nga çrregullimet më të zakonshme të diagnostifikuara (Kirsch&Gilula, 2007). Marrëdhënia në mes të përjetimeve traumatike dhe çrregullimeve mendore sikurse depresioni është e ndërlikuar. Jo të gjitha ngjarjet traumatike mund të kenë pasoja në shëndetin mendor, ashtu sikurse jo të gjitha rastet e çrregullimeve depresive, janë pasojë e përjetimeve traumatike (Rajan, 2004). Megjithatë, një numër i madh studimesh të realizuara në këtë fushë, shërbejnë si pikënisje e dobishme për të kuptuar dhe analizuar këtë marrëdhënie komplekse.

  Para se te shqyrtojmë korrelacionin eventual në mes të përjetimeve traumatike dhe depresionit është e rëndësishme të definojmë konceptet në fjalë. Në përgjithësi, kërkimet që ekzaminojnë ndikimin që ka trauma, në zhvillimin e një te rrituri, janë fokusuar kryesisht në Manualin Diagnostik dhe Statistikorë të Çrregullimeve Mendore, edicioni i katërt, ndryshe i njohur me akronimin DSM-IV i bazuar në çrregullimet e personalitetit. (Allen &Lauterbach, 2007). Gordon dhe Hodas  (2006) gjetën se në këtë manual “ngjarja traumatike” definohet si “përjetim, të qenit dëshmitarë, ose përballje me një apo shumë ngjarje në të cilat përfshihen vdekje, kërcënime, apo dëmtime të rënda, ndaj integritetit te individit apo të të tjerëve”. Komponenti i dytë i një ngjarje traumatike është “përgjigjja e personit e cila mund të përfshijë: frikë intensive, pafuqi, dhe tmerr”.

Ashtu siç edhe e mbështesin studime të shumta, përjetimet traumatike mund të jenë të llojeve të ndryshme, të tilla si: abuzimi seksual (Lubin, Johnson&Southwick, 1996), abuzimi emocional, neglizhimi (Bierer et al., 2003), abuzimi fizik (Berkowitz, 2004), sëmundja e kancerit (Erickson&Steiner, 2001), të qenit dëshmitarë  të një vrasje apo plagosje te rëndë (Perry&Daugherty, 1995) përjetimi i ndonjë fatkeqësie natyrore siç është tërmeti (Scott, Knoth, Beltran-Quiones, &Gomez, 2003), humbjet traumatike, trauma mjekësore, lufta dhe terrorizmi (NationalChildTraumaticStressNetwork, 2005).

Nga ana tjetër Organizata Botërore e Shëndetësisë (1993) e definon çrregullimin depresiv si: humbje e interesit për aktivitete, mungesë të reagimeve emocionale, gjumë të çrregulluar, humbje të oreksit, humbje peshe, humbje të epshit si dhe energji të ulët për së paku dy javë. OBT diagnostifikon çrregullimin depresiv, nëse konfirmohen së paku katër nga gjendjet e lartpërmendura. Njerëzit me çrregullim depresiv kanë nivel më të ulët të energjisë, që ua pamundëson të funksionojnë normalisht (Porter, 2012). Në ditët e sotme depresioni është njëra nga diagnozat më të zakonshme tek të rriturit dhe në të njëjtën kohë është shkaku kryesor i shumë sëmundjeve në mbarë botën (Richards, 2011).

 Në një studim të realizuar nga Coker dhe kolegët (2002) në Amerikë, u analizuan pasojat mentale që vinin nga dhuna fizike, psikike apo seksuale në mes të partnerëve intim. Studimi u realizua me një mostër prej 6790 femrave dhe 7122 meshkujve, mosha e të cilëve varionte nga 18 deri në 65 vjet. Rezultatet e këtij studimi treguan se 30 % e femrave dhe 23 % e meshkujve që ishin pjesë e studimit kishin përjetuar dhunë fizike, psikike ose seksuale më parë gjatë jetës se tyre. Më tutje, gjetjet e studimit treguan se pjesëmarrësit që u identifikuan të kenë përjetuar ndonjë formë të dhunës, kishin raportuar gjithashtu për simptoma depresive dhe dëmtime të tjera të shëndetit mendor. Ky studim konkludoi se ngjarjet traumatike kanë ndikim negativ në shëndetin mendor si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt dhe se çështje të tilla janë të rëndësishme për tu ekzaminuar në thellësi.

Një studim që analizon një formë të veçantë të traumës, abuzimin seksual, i realizuar nga Gladstone (2004) dhe kolegët e tij, konkludon gjithashtu se depresioni në raste të caktuara mund të vijë edhe si pasojë e përjetimeve traumatike. Studimi u realizua në Amerikë me 125 gra te diagnostifikuara me depresion të cilat raportuan përmes intervistave dhe pyetësorëve vetëraportues. Gjetjet e këtij studimi treguan se gratë që kishin përjetuar ngjarje traumatike të tilla si abuzimi seksual, ishin prekur më herët nga depresioni dhe çrregullimet e panikut në krahasim me gratë e tjera të diagnostifikuara me depresion, por që nuk kishin përjetuar abuzim seksual ose forma të tjera të traumave gjatë jetës së tyre.

Një tjetër studim që ekzaminoi ndikimin e traumave në fëmijërinë e hershme në shfaqjen e depresionit është edhe studimi u realizuar nga Konradt dhe kolegët (2013). Gjithsej nga 232 adoleshentë që ishin pjesë e këtij studimi, 82 prej tyre u diagnostifikuan me çrregullimin depresiv. Gjetjet e këtij studimi treguan se raportimet për përjetime të eventevetraumatike ishin më të shpeshta tek individët e diagnostikuar më çrregullim depresiv sesa tek individët nga popullata gjenerale. Ky studim gjithashtu konkludoi se ngjarjet traumatike në fëmijërinë e hershme kontribuojnë në shfaqjen e çrregullimeve të ndryshme mendore përfshirë edhe depresionin.

Në veçanti çrregullimi depresiv që vjen si rezultat i përjetimeve traumatike është një çështje mjaft me interes për psikologët dhe studimet e tyre të fundme. Kjo sepse ky çrregullim është njëra nga diagnozat më të shpeshta, dhe të kuptuarit e shkaktarëve të tij e bëjnë atë më të lehtë për tu trajtuar. Në këtë mënyrë edhe format e ndryshme terapeutike të trajtimit të çrregullimet depresiv mund të jenë më të efektshme.  Individët që kanë përjetuar ndonjë formë të veçantë të traumës dhe vuajnë pasojat mentale të atij përjetimi, është e rëndësishme të trajtohen profesionalisht me qëllim të përmirësimit të gjendjes së tyre.

 

COPYRIGHT: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Ilirjana Geci ( Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina" ).

 

REFERENCAT 

Allen, B. &Lauterbach, D. (2007). PersonalityCharacteristicsofAdultSurvivorsofChildhood Trauma. JournalofTraumaticStress, 2-3.

Bierer, L. M., Yehuda, R., Schmeidler, J., Mitropoulou, V., New, A. S &Silverman, J. M., et al. (2003). Abuseandneglect in childhood: Relationship to personalitydisorderdiagnoses. CNS Spectrums, 8, 737–754.

Coker, A. L., Davis, K. E., Arias, I., Desai, S., Sanderson, M., Brandt, H. M., &Smith, P. H. (2002). Physicaland mental healtheffectsofintimate partner violence for men andwomen. AmericanJournalof Preventive Medicine, 23, 260 –268.

Erickson, S. J., &Steiner, H. (2001). Trauma andpersonalitycorrelates in long-term pediatriccancersurvivors. ChildPsychiatryand Human Development, 31, 195–213.

Perry, O. E., &Daugherty, T. K. (1995). Traitanxietyofcollegemaleswhowitnessedmurder or injury as a child. College Student Journal, 29, 243–245

Kirsch, D. &Gilula, F. (2007). CES in the TreatmentofDepression. Practical PAIN

Konradt, E., Jansen, K., Magalhães, P., Pinheiro, R., Kapczinski, F., Silva. R. &Souza. L.,(2013). Early trauma andmooddisorders in youngsters. RevPsiqClín. 2013;40(3):93-6

Rajan, D. (2004). Violence AgainstWomenwithDisabilities. NationalClearinghouseonFamily  Violence (NCFV). [Online]. CitedSeptember 2004 : http://www.phac­aspc.gc.ca/ncfv­  cnivf/familyviolence/pdfs/2005femdisabl_e.pdf

Gordon,R. &Hodas, M. (2006 ). Responding to childhood trauma: The promiseandpracticeof trauma informedcare. Pennsylvania Office of Mental Healthand Substance AbuseServices. 7-8.

Gladstone, G., Parker, G., Mitchell, Ph., Malhi, G., Wilhelm, K.&Austin, M., (2004). ImplicationsofChildhood Trauma forDepressedWomen: An AnalysisofPathwaysFromChildhoodSexualAbuse to DeliberateSelf-HarmandRevictimization. Am J Psychiatry 161:8

NationalChildTraumaticStressNetwork 2005: http://www.NCTSNet.org.

Lubin, H., Johnson, D. R., &Southwick, S. M. (1996). Impactofchildhoodabuseonadultpsychopathology: A casereport. Dissociation, 9, 134–139.

Richards, D.,(2011). Prevalenceandclinicalcourseofdepression: A Review. , ClinicalPsychologyReview

Scott, R. L., Knoth, R. L., Beltran-Quiones, M., &Gomez, N. (2003). Assessmentofpsychologicalfunctioning in adolescentearthquakevictims in Colombiausing the MMPI-A. JournalofTraumaticStress, 16, 49–57.