Sitting is the new smoking. ~Health catchphrase, c.2009   Bonnie Berkowitz and Patterson Clark, 2014, Don’t just sit there, 

 <https://www.washingtonpost.com/apps/g/page/national/the-health-hazards-of-sitting/750/>.

 

  • Qëndrimi ulur është si ushqimi, i nevojshëm, por shumë i dëmshëm nëse tejkalohet masa.
  • Qëndrimi ulur për një periudhë të gjatë kohe është provuar se lidhet me shumë probleme shëndetësore, duke përfshirë obezitetin, diabetin e tipit të 2, sëmundjet e zemrës, madje dhe kancerin.
  • Zgjidhja është e thjeshtë. Uluni më pak dhe lëvizni më shumë.

 

“Sitting is the new smoking” është një shprehje qe merr vlerë në të gjitha gjuhët e botës, duke nënkuptuar se qëndrimi ulur është po aq i dëmshëm sa duhanpirja.

Në pamje të parë, ideja se qëndrimi ulur është i dëmshëm mund të duket qesharake. Kryesisht sepse qëndrimi ulur është një pozicion natyral i trupit të njeriut dhe njerëzit kur punojnë, krijojnë miqësi, studiojnë apo udhëtojnë në të shumtën e rasteve qëndrojnë ulur. Kjo në njëfarë mënyre përfaqëson natyrën dytësore të njeriut.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se qëndrimi ulur është i padëmshëm. Është pak a shumë si ushqimi, i nevojshëm, por shumë i dëmshëm nëse tejkalohet masa.                                                                                                                                                                                                                   

Qëndrimi ulur për një periudhë të gjatë kohe është provuar se lidhet me shumë probleme shëndetësore, duke përfshirë obezitetin, diabetin e tipit të 2, sëmundjet e zemrës, madje dhe kancerin. Mbase ju nuk e besoni, por do ju bëntë shumë më mirë të qëndronit në këmbë, ndërsa vazhdoni leximin e këtij artikulli.

Sipas një studimi, njerëzit që shpenzojnë më shumë se 4 orë përpara një ekrani: televizori, kompjuteri, telefoni e të tjerë paraqesin rrezik të shtuar për të vdekur më shpejt dhe janë më të riskuar ndaj sëmundjeve të zemrës, si dhimbja e krahërorit ose infarkti i miokardit.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                

 Qëndrimi përpara një ekrani nuk është problemi i vetëm. Edhe qëndrimi ulur në tavolinën e punës është po aq i dëmshem. Zgjidhja është e thjeshtë. Uluni më pak dhe lëvizni më shumë. Mund të filloni thjesht duke u ngritur sa herë t`ju jepet mundësia.

Për shembull:

  • qëndroni në këmbë në autobuz ose tren
  • ngjisni shkallët në këmbë
  • qëndroni në këmbë ndërsa flisni në telefon apo hani
  • vendosni një alarm që t`ju kujtojë të ngriheni dhe të lëvizni çdo 30 minuta
  • në vend se të kaloni kohën e lirë përpara televizorit, zgjidhni ta kaloni atë në mënyrë aktive

 

Ndikimi i lëvizjes, edhe asaj më të thjeshtës është shumë domethënës. Në fillim do të digjni më shumë kalori, që është e barasvlershme me peshë të humbur dhe energji të shtuar.

Edhe pse aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm, “qëndrimi ulur shumë gjatë nuk është njësoj si të ushtrohesh shumë pak” (Marc T. Hamilton, 2012). Për këtë arsye, gjëja më e rëndësishme që ju duhet të bëni është të shmangni qëndrimin ulur për shumë kohë.

 

COPYRIGHT: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Detina Zalli dhe Harmela Sinanaj (Universiteti i Mjekësisë, Tiranë).

 

REFERENCAT:

1. http://diet.mayoclinic.org/diet/move/how-harmful-is-too-much-sitting?xid=nl_MayoClinicDiet_20171012

2. https://blogs.scientificamerican.com/guest-blog/can-sitting-too-much-kill-you/

3. https://www.healthline.com/nutrition/why-sitting-is-bad-for-you#section8

4. http://www.nhs.uk/Livewell/fitness/Pages/sitting-and-sedentary-behaviour-are-bad-for-your-health.aspx