"Sic duket, duhet kurajo për të rritur fëmijë"

John Steinbeck

Dekadat e fundit, shkenca ka pasur një fokus të vecantë tek format e ndryshme të prindërimit; duke besuar se ato e ndikojnë thellësisht jetën e secilit prej nesh (Heckman, 2007). Studime të ndryshme në mbarë botën, e kanë cilësuar fëmijërinë si periudhën më të rëndësishme për njerëzit, në kuptimin që eksperiencat e përjetuara gjatë fëmijërisë janë ato që e ndikojnë jetën tonë të mëvonshme pothuajse në secilin aspekt.

modern-parenting                                                              Emetimi i dritës blu dëmton shikimin e fëmijëve

Nga ana tjetër, shumë prej nesh janë dëshmitarë të ndryshimeve madhore që ka pësuar “prindërimi” pas zhvillimeve moderne. Ditëve të sotme, prindërit i mësojnë fëmijët e tyre të mbështeten tërësisht në teknologji për të luajtuar, mësuar apo edhe për të kontaktuar me të tjerët. Sipas një studimi të realizuar nga Common Sense Media Research (2013), 38 % e fëmijëve deri në moshën dy vjecare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë përdorues të pajisjeve teknologjike sikurse iPad apo iPhone.

Nga ana tjetër, sipas një studimi të realizuar nga CMHDSC (2013), po ashtu 38% e prindërve kanë raportuar se pajisjet teknologjike e bëjnë prindërimin më të lehtë. Kjo sepse, prindërit i përdorin këto pajisje si një formë për ti mbajtur fëmijët të zënë dhe për ti qetësuar ata kur qajnë. Gjithashtu, ato përdoren nga prindërit edhe si formë shpërblimi për fëmijët e tyre kur ata promovojnë ndonjë sjellje të përshtatshme ose si një formë dënimi duke i ndaluar fëmijët të përdorin një të tillë në rast të promovimit të sjelljeve të papërshtatshme.

Fatkeqësisht, efektet negative të përdorimit të lartë të teknologjisë nga ana e fëmijëve janë të mëdha ku disa prej tyre mund ti gjeni të listuara më poshtë,  

  • Dëmtime në të parë – Paisjet elektronike emetojnë Dritën Blu e cila ka ndikim negativ në sytë e fëmijëve, dhe jo vetëm. Ekspozimi me Dritën Blu mund të shkaktojë dëme të përhershme të shikimit dhe mund të rezultojë me zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme të syrit.  Për më tepër, pajisjet teknologjike mund të shkaktojnë edhe lodhje të syve, tendosje dhe vision të paqartë (The Vision Council, 2016).
  • Obeziteti – Sipas Akademisë Amerikane të Fëmijëve dhe Psikiatrisë së Adoleshentëve, obeziteti ose mbipesha tek fëmijët konsiston kryesisht në mungesën e aktivitetit fizik. Paraprakisht, kjo e fundit konsiston kryesisht në përdorimin e pajisjeve të ndryshme teknologjike, të cilat i argëtojnë fëmijët dhe i mbajnë ata të zënë, mirëpo nuk kërkon përfshirje të aktivitetit fizik. Mbipesha, ka efektet e saj negative tek zhvillimi i fëmijëve (Loop, 2009). 
  • Zhvillim të dobët motorik – Sipas British Columbia’s Society of Occupational Therapists përdorimi i lartë i pajisjeve elektronike nga ana e fëmijëve po e dëmton zhvillimin e tyre motorik. Motorika e fëmijëve ka nevojë për ndërveprime njerëzore, aktivitet fizik dhe lojë në ambient natyral në mënyrë që ajo të zhvillohet sic duhet (Hatch, 2011).

Të gjithë duam të rrisim fëmijë të shëndetshëm; prandaj, është shumë e rëndësishme që prindërit të vetëdijësohen për efektet negative që ka përdorimi i lartë i pajisjeve teknologjike nga ana e fëmijëve, pavarësisht se sa mund ta lehtësojë kjo prindërimin në terma afat-shkurtër dhe sic duket ta vështirësojë atë në terma afat-gjatë.

Copyright: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Ilirjana Geci në drejtim të Detina Zalli dhe Argita Zalli.

Referencat:

Center on Media and Human Development School of Communication (2013). Parenting in the Age of Digital Technology. Northwestern University.

Common Sense Media Research (2013). Zero to Eight: Children's Media Use in America 2013.

Hatch, K., (2011). Determining the Effects of Technology on Children. University of Rhode Island.

Heckman, J. (2007). Invest in the Very Young. University of Chicago.

Loop, E., (2009). Exposing the negative Effects of Technology on Kids.
The Consultative Group on Early Childhood Care and Development. (2013). The Importance of Early Childhood Development to Education.

The Vision Council, (2016). Protect your eyes from digital Devices.