Çaji është pija e dytë më e konsumuar në botë pas ujit. Rreth 20% e njerëzve janë konsumatorë të rregullt të çajit të gjelbër, ku Kina dhe India janë vendet e para në listë me numër më të madh të konsumatorëve.tea

Secili kënaqet më një filxhan çaj në fund të ditës, apo pas një situate stresues për t’u qetësuar dhe për të shijuar efektin relaksues të çajit. Mirëpo duhet ditur që çaji ofron më shumë se këto efekte të shumë dëshiruara, sidomos çaji i gjelbër që konsiderohet si një ndër pijet më të shëndetshme në botë.

Çaji i gjelbër është i pasur me anti-oksidantë. Ai është po ashtu i pasur me polifenole, që paraqesin komponime me efekte të forta anti-inflamatore dhe anti-kanceroze. Polifenoli më i studiuar bioaktiv është një komponim i ashtuquajtur Epigallocatechi-3-gallate (EGCG), që është shumë i zoti në luftën kundër radikaleve të lira.

Ekzistojnë shumë përfitime shëndetësore të mundshme nga pirja e çajit të gjelbër. Përgatitni një çaj të gjelbër dhe rehatohuni mirë përderisa i shijoni këto përfitime:

Efekti anti-kanceroz. Është vërtetuar që çaji i gjelbër pengon dhe prish metabolizmin e qelizave kanceroze në minj. Kjo veti vjen si pasojë e përmbajtjes së lartë të polifenoleve në çajin e gjelbër. Edhe pse nuk është vërtetuar që përfitimet janë nga çaji i gjelbër është parë që në vendet ku çaji i gjelbër konsumohet rregullisht shifrat e kancerit janë më të vogla. Një studim i madh prospektiv ka krahasuar konsumatorët e çajit të gjelbër dhe ato që nuk e konsumojnë atë dhe ka rënë në përfundim që ato të cilët nuk konsumojnë çaj të gjelbër rrezikojnë më shumë të preken nga kanceri i pankreasit.

Shumë studime po ashtu i vënë rëndësi përfitimeve nga çaji i gjelbër për parandalimin e kancerit të lukthit, të prostatës, kancerit të gjirit, kancerit kolorektal, ovarial dhe atij të mushkërive. Disa sugjerojnë që efekti anti-kanceroz i çajit varet nga sasia e çajit të konsumuar, dhe kjo sasi ndryshon nga 2-10 filxhanë në ditë.

Sëmundjet e zemrës. Pirja e çajit në mënyrë të rregullt zvogëlon mundësitë e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare. Një studim që është bërë në 40,000 japonez të moshës 40-79 vjeçare tregoi që ato që konsumojnë pesë filxhanë në ditë kishin mundësi me të vërtetë të ulta që të vdisnin nga sëmundjet kardiovaskulare. Po ashtu ato të cilët konsumonin deri në 10 filxhanë në ditë çaj të gjelbër kishin vlera më të ulta të kolesterolit. Në përgjithësi çaji i gjelbër zvogëlon rrezikun e vuajtjes nga sëmundjet kardiovaskulare.

Efekti anti-inflamator. Institucioni FDA (Food and Drug Administration) ka aprovuar përdorimin e ekstraktit të çajit të gjelbër për trajtimin e lythave gjenitale. Çaji i gjelbër ka efekt të mundshëm anti-inflamator edhe në puçrrat e rinisë, dhe po ashtu zvogëlon dëmtimin e lëkurës nga rrezatimi ultraviolet. Po ashtu është parë që çaji i gjelbër zvogëlon shenjat e artritit dhe në disa raste promovon shërimin e plagëve.

Veti anti-stres. Disa studime lidhin çajin e gjelbër me një stil të jetesës më të mirë, ku stresi përballohet më lehtë dhe ku kemi memorie të freskët si dhe funksione kognitive më të mira. Aminoacidi theanina, që është i bollshëm në çajin e gjelbër, ka efekt relaksues. Pasi që theanina mund t’a kalojë kufirin gjak-tru ajo promovon qarkullim më të mirë në tru dhe po ashtu bllokon efektet a padëshirueshme të stresit. Kështu që çaji i gjelbër promovon një status mendor më të shëndetshëm.

Humbja e peshës. Edhe pse nuk ka lidhshmëri direkte në mes konsumimit të çajit të gjelbër dhe humbjes së peshës, janë të njohura efektet e promovimit të tretjes nga çaji i gjelbër. Sidoqoftë, një stil i jetës ku çaji i gjelbër konsumohet rregullisht zvogëlon mundësinë e paraqitjes së diabetit tip 2. Ky efekt është si pasojë e kontrollit të parametrave të sindromës metabolike ku niveli i lartë i kolesterolit dhe obezitet luajnë rol kyç.

Çaji i gjelbër po ashtu përmban kafeinë, diku 20-45 mg për një filxhan. Kafeina e bën çajin e gjelbër të shkëlqyeshëm për adhuruesit e kafes, pasi që ai e ushtron efektin sy-çelës për të pasur një ditë produktive dhe po ashtu jep edhe përfitim tjera shëndetësore.

Duke i ditur të gjitha këto përfitim jam e sigurt që nga tani e tutje ju do ta shijoni edhe më shumë çajin e gjelbër.

Referencat:

  1. http://statenews.com/article/2015/03/tea-stress
  2. http://www.medicalnewstoday.com/articles/269538.php
  3. http://www.medicalnewstoday.com/articles/277583.php

Leave a Reply