Figura 1 – Incizim i gypthave të hematitit nga shkëmbinjtë e Nuvvuagittuq. © Matthew Dodd

Hulumtimet në fushën e biogjenezës dhe evolucionit më së shumti bazohen nga nxjerrja e fosileve të cilat gjenden në shtresa të ndryshme të thellësisë së tokës. Deri më sot shumë hulumtime kanë  mbështetur teorinë së format më të vjetra jetësore janë formuar në Prekambrium, për të cilat mendohet se janë baktere dhe cyanobaktere. Këto në bazë të analizave që janë bërë janë datuar diku 3,8 miliard vite më parë. Këto fosile emërtohen si Stromatolite.

Por të sqarojmë së pari se çka është një fosil. Si fosile emërtohen dëshmi të formave jetësore të kaluara përgjatë historisë së tokës, të cilët janë më të vjetra se 10.000 vite, që  mund të renditën një periudhe kohor e Holocenit (periudhë gjeologjike). Këto dëshmi  thënë më thjeshtë janë trupa të organizmave që kanë jetuar në të kaluarën, të cilët pas ngordhjes janë ngurtësuar në forma shkëmbore dhe kanë mbetur ashtu të ruajtura në thellësi tokësore.

Figura 2. Imazhe te filamenteve te hematiteve nga  NSB and Løkken jaspers

Është e qartë se dikur në një periudhë janë krijuar qelizat e para dhe me këtë edhe jeta e parë. Se kur kjo ka ndodhur, deri më sot është ende e paqartë. Arsyet për këtë janë mungesa e fosileve, të cilat e dëshmojnë një gjë të tillë në mënyrë të qartë, për shkak se qelizat e brishta të asaj kohë nuk kanë mundur të i rezistojnë dekompozimit. Duke u bazuar në këto fakte, shkencëtarët duhet të gjejnë rrugë indirekte për të dëshmuar jetën e parë në tokë. Ndër këto rrugë indirekte hyjnë mineralët dhe komponimet e ndryshme kimike.

Megjithatë edhe këto rrugë indirektë nuk janë definitive të sigurta, sepse disa prej këtyre mineraleve mund të krijohen edhe në kushte abiotike. 

Por,  shkencëtarët pohojnë se kanë gjetur forma edhe më të vjetra se sa ato që njihen deri më sot. Këto shenja të para të jetës, ata i kanë gjetur në rripin shkëmbor të Nuvvuagittuq në Quebec. Këto formacione shkëmbore që gjendën në bregdetin e Kanadasë, supozohen se kanë një moshë nga 3.7 – 4.28 miliard vite idhe me këtë, konsiderohen ndër shkëmbinjtë më të vjetra të tokës, siç raporton Dodd dhe kolegët e tij.

„Këta shkëmbinj përbëhen  pjesa dërmuese prej silikatëve dhe hematitit, që është një komponim i hekurit.“, sqaron njëri nga kolegët e Dodd-it, Dominic Papineau. Prej kohësh shkencëtarët kanë supozuar  se disa nga këto burime vullkanike në thellësi të detit kanë siguruar kushte të përshtatshme për jetën e parë.

Indikacionet flasin për prejardhje biogjene

A behët fjalë për këto struktura të gjetura me prejardhje biologjike? Për të verifikuar këtë dyshim, shkencëtarët kanë analizuar përbërjen e filamenteve të fosileve me anë të Spektroskopisë – Raman dhe të ablacionit laserik. 

Rezultati: Si struktura ashtu edhe përbërja e gypthave hematite të gjetura në fosile flasin për një prejardhje biogjene. Një indikacion për këtë pohim është se gypthat e hematitit hasën së bashku me minderalin Apatit dhe Karbonat. Një indikacion tjetër është se përreth gypthave te hematitit janë hasur granula të oksidit të hekurit dhe roseta të karbonatit.

Figura 3: Granula nga  Biwabik dhe NSB jaspers.

Këto hulumtime sugjerojnë se jeta në tokë është krijuar ndoshta më herët se që është menduar. Duke u bazuar në moshën e shkëmbinjve ku janë gjetur këto shenja të para të jetës atëherë supozohet se mundësia e fillimit të atyre qelizave daton deri në mbi 4 miliard vite më parë.

Figura 4: Rozetat karbonike nga  NSB jaspers

 

COPYRIGHT: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga MSc.Gjena Dura (Biolog molekular, Universiteti i Tiranës) dhe Dardan Beqaj ( Msc. Biologji, Universiteti I Prishtinës, FSHMN, Prishtinë).

 

REFERENCES: 

http://www.nature.com/nature/journal/v543/n7643/full/nature21377.html

http://www.sciencemag.org/news/2017/03/377-billion-year-old-fossils-stake-new-claim-oldest-evidence-life

https://futurism.com/scientists-just-found-fossils-containing-the-oldest-evidence-of-life-on-earth/

https://de.wikipedia.org/wiki/Pr%C3%A4kambrium

http://www.scinexx.de/wissen-aktuell-21211-2017-03-02.html

Fotografitë:

http://www.scinexx.de/redaktion/wissen_aktuell/bild14/mikrofossil2m.jpg

http://www.nature.com/nature/journal/v543/n7643/carousel/nature21377-f1.jpg

http://www.nature.com/nature/journal/v543/n7643/carousel/nature21377-f2.jpg

http://www.nature.com/nature/journal/v543/n7643/carousel/nature21377-f3.jpg

http://www.nature.com/nature/journal/v543/n7643/carousel/nature21377-f4.jpg