Figura 1. Mushkonja Anopheles

Malaria është një sëmundje kërcënuese për jetën, e cila transmetohet tek njerëzit me anë të pickimit të mushkonjave të tipit Anopheles. Malaria vret rreth 66000 njerëz çdo vit (Mayo Clinic Staff, 2016). Gjithsesi sot e kësaj dite malaria është prezente në vendet tropikale dhe subtropikale. Së fundmi, një zinxhir mushkonjash të modifikuara gjenetikisht mund të jetë çelësi i zgjidhjes së problemit (Lizzie Parry, 2015). Luftimi i malaries me mushkonja mund të duket sa i çuditshëm aq edhe ironik si strategji, por kjo është pikërisht ajo që shumë shkencëtarë po përpiqen të bëjnë.

Malaria, një nga problemet më të hasura shëndetësore, është përmendur për herë të parë në vitin 1880 si një sëmundje e shkaktuar nga parazitët. Infekton rreth 250 milion njerëz mbarëbotën dhe vret afro 1 milion njerëz, shumica e të cilëve janë fëmijë. Teksa një mushkonjë e infektuar pickon dhe transmeton parazitin, ky i fundit shumohet në mëlçinë e bujtësit para se të infektojë dhe shkatërrojë eritrocitet (Peter Lam, 2016).  Mushkonjat femra Anopheles, të cilat janë të vetmet që mund të transmetojnë infeksionin tek njerëzit, bartin forma të ndryshme të parazitëve. Janë më shumë se 100 tipe të parazitëve Plasmodium të cilët mund të infektojnë një shumëllojshmëri speciesh, ku midis të cilëve shkencëtarët mund të identifikojnë 5 tipe specifike që mund të infektojnë njerëzit. Më të rëndësishmit prej tyre janë: P.falciparum, P.vivax, P.ovale, P.malarie, P.knowlesi.

Strategjitë për kontrollimin dhe parandalimin e malaries fokusohen në rrugët e vrasjes së mushkonjave që transmetojnë sëmundjen. Duke i menduar mushkonjat thjeshtë si bartës të sëmundjes, mund të konkludojmë se mushkonjat në vetvete nuk janë problemi i vërtetë. Ekziston mundësia e të menduarit jashtë kornizave, dhe pikërisht këtë po mundohen shkencëtarët të bëjnë.

 

Figura 2. Mënyra e funksionimit të mushkonjave të modifikuara gjenetikisht

Me fuqinë e gjenetikës moderne dhe biologjisë molekulare, shkencëtarët kanë prodhuar zinxhirë të mushkonjave gjenetikisht të modifikuara, të cilat nuk mund të transmetojnë parazitin e malarias (M. T. Marrelli, C. Li, J. L. Rasgon, M. Jacobs-Lorena, 2007). Mushkonjat e modifikuara gjenetikisht bartin një gjen të modifikuar i njihur si transgjen, i cili prodhon kimikate që interferojnë në zhvillimin e Plasmodium-it. Shkencëtarët (Jacobs-Lorena, 2007) po mundohen të inkorporojnë një gjen baktericid që do të implementohet në organet sekretore të mushkonjave, dhe jo në gjenomën e tyre. Me anë të këtij modifikimi, mushkonjat në vend që të jenë bartës të përshtatshëm, trupat e tyre do të jenë vrasëse të invaduesit Plasmodium – i cili është shkaktari i vërtetë i kësaj sëmundje.

Teoria konsiston në atë që insektet e modifikuara gjenetikisht të mund të lihen të lira në natyrë, ku ato do të luftojnë mushkonjat që bartin sëmundjen duke kaluar gjenin që vret parazitin e malaries dhe ky proces të bartet tek pasardhësit e tyre (Lizzie Parry, 2015).

 

COPYRIGHT: Ky artikull është pronë e We Speak Science, institutit jo fitimprurës themeluar nga dy shkencëtaret shqipëtare Dr. Detina Zalli (Harvard University) dhe Dr. Argita Zalli (Imperial College London). Artikulli është shkruar nga Elona Xhemaili ( Universiteti i Tetovës, Master i Shkencave Farmaceutike, Maqedoni)

 

REFERENCAT:

  • http://phenomena.nationalgeographic.com/2012/07/16/engineering-mosquito-gut-bacteria-to-fight-malari/
  • http://phenomena.nationalgeographic.com/2008/10/21/genetically-modified-mosquitoes-fight-malaria-by-outcompeting-normal-ones/
  • http://www.mayoclinic.org/diseases-conditions/malaria/home/ovc-20167984
  • http://www.medicalneëstoday.com/articles/150670.php
  • http://www.hardydiagnostics.com/ëp-content/uploads/2016/05/Mosquitoes-
  • Genetically-Modified.pdf
  • http:/www.dailymail.co.uk/health/article-3330934/Genetically-modified-mosquitoes-eradicate-malaria-passing-genes-stop-spread-killer-disease-offspring.html