Struktura e resveratrolit

Rrushi është një frut i shëndetshëm që konsumohet gjerësisht. Ai përdoret si frut i freskët ose përpunim i tij në formën e  verës, rakisë, lëngjeve, etj. Studimet e fundit në modelet shtazore tregojnë se Resveratroli i nxjerr nga ekstrakti i rrushit mund ti luftojë qelizat kancerogjene në nivel e qelizave burimore dhe nxitjen e apoptozës (vdekjen) së tyre. Mendohet se Resveratroli inhibon rrugët sinjalizuese të rëndësishme të procesit të kancerit.

Fruti i rrushit mund të luftojë kancerin. Rrushi përmban substanca natyrale që ndalojnë shpërndarjen e qelizave kancerogjene. (Elvira Gonzalez de Meija, 2005). Sipas hulumtuesve nga Insitituti për kancer në “Penn State Hershey” komponimet nga ekstrakti i rrushit mund ti vrasin qelizat kancerogjene në modelet shtazore në laborator. Komponimi i quajtur Resveratrol është izoluar nga fruit i rrushit, ashtu si edhe Resveratroli i izoluar nga lëvorja dhe fara e rrushit mund të parandalojnë kancerin e zorrës së trashë. Hulumtuesit gjetën se kombinimi i Resveratrolit me ekstraktin e farave të rrushit është efikas në vrasjen e qelizave kancerogjene (Jairam K.P. Vanamala, 2017).

Resveratroli i takon grupit të polifenoleve. Ato veprojnë si antioksidantë duke mbrojtur trupin tonë nga sëmundjet si kanceri, diabeti, Alzheimeri dhe sëmundjet e zemrës. Po ashtu Resveratroli vepron si agjentë kundër plakjes dhe ka dobi të tjera ende të pazbuluara (WebMD, 2016).

Këto zbulime mund të çojnë drejt fillimit të testimeve të substancave për shërimin e kanceri të zorrës së trashë i cili është shkaktar i dytë në vdekjen e gjinisë femërore dhe i treti në vdekjen e asaj mashkullore. Nëse testet janë të suksesshme atëhere mund të prodhohen medikamente për parandalimin dhe uljen e rishfaqjes së kancerit tek të mbijetuarit e kancerit (Jairam K.P. Vanamala, 2017).

Shkencëtarët përpiqen t’i sulmojnë qelizat burimore kanceroze, sepse tumoret kanceroze rrjedhin nga qelizat burimore dhe shërbejnë si fara të tumorit. Qelizat burimore rigjenerohen, diferencohen dhe ruajnë cilësitë e tyre edhe pas invazionit dhe metastazës (NCBI, 2013).

Suplementet me bazë rrushin sigurisht që nuk prodhojnë efekte të njëjta, ngaqë mund të mos kenë të gjitha përbërësit e duhur. Ekipi hulumutues ka identifikuar më herët 10 flavonoide dhe proantocianidine në rrush (Elvira Gonzalez de Meija, 2005).

Ata gjetën se përbërësit veprojnë më mirë të kombinuar sesa ndarazi. Kjo do të thotë se përbërësit punojnë në sinergji (Elvira Gonzalez de Meija, 2005).

Për më tepër mendohet se ekstrakti i rrushit vepron fuqishëm në aktivizimin e JNK, që çon në mbirregullimin e Cip/p21 (inhibitor i CDK, që kontrollon ciklin qelizor). Kjo çon drejt vdekjes së qelizave kancerogjene sidomos në rastet e leuçemisë (Dr Xianglin Shi, 2009). Po ashtu, ekstrakti  i farave të rrushit vret qelizat kancerogjene në kokë dhe qafë duke mos i prekur qelizat e shëndosha. (Rajesh Agarwal, PhD, 2012).

Nëse përdoren ndarazi në doza të vogla, Resveratroli dhe ekstrakti i farave të rrushit nuk janë aq efikas kundër qelizave burimore kancerogjene sikurse përdorimi i kombinuar i tyre. Ky efekt i kombinuar tregon më së miri se përse në kulturat qelizore me këtë lloj diete kemi më pak presencë të sëmundjes së kancerit.

Këto dieta janë të dobishme për të parandaluar kancerin për shkak të substancave të dobishme, të cilat inhibojnë rrugët sinjalizuese të kancerit. Zgjidhja më e mirë është të përdoren fruta të freskëta sa më shumë. Nuk ka nevojë për nxitim në përdorimin e suplementeve pa këshillën e mjekut.

 

COPYRIGHT: This article is property of We Speak Science, a nonprofit institution co-founded by Dr. Detina Zalli (Harvard University) and Dr. Argita Zalli (Imperial College London). The article is written by Vedat Sunguri ( Master of Pharmacy, University of Pristina) .

 

REFERENCES:

  1. https://medicalxpress.com/news/2017-06-grape-based-compounds-colon-cancer-stem.html
  2. http://www.coloradocancerblogs.org/grape-seed-extract-kills-head-and-neck-cancer-cells-leaves-healthy-cells-unharmed/
  3. http://www.webmd.com/cancer/news/20050331/grapes-may-stop-cancer-cells
  4. https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC3602306/
  5. http://journals.lww.com/md-journal/Fulltext/2016/09081/Cancer_stem_cells__Role_in_tumor_growth,.5.aspx