Infeksion urinar quajmë prezencën e patogjeneve mikrobialë në brendësi të traktit urinar, i cili normalisht duhet të jetë steril. Infeksionet urinare janë infeksionet më të shpeshta bakteriale tek njerëzit. Në vitin 2007 u regjistruan 8.6 milion vizita ambulatore në SHBA, ku në 84% ishin femra.

Infeksionet e traktit urinar mund të jenë asimptomatike (infeksion subklinik) ose simptomatike (sëmundje). Këto infeksione përfshijnë një gamë të gjerë entitetesh klinike: bakteriuria asimptomatike, cistitet (infeksione të vezikës urinare), prostatitet dhe pielonefritet. Një tjetër klasifikim i tyre është që cistitet akute dhe pielonefritet që ndodhin në gra jo shtatzëna, para menopauzës dhe pa histori të abnormaliteteve të traktit urinar konsiderohen infeksione urinare të pakomplikuara. Të gjitha rastet e tjera të infeksionit konsiderohen të komplikuara.

Agjentet etiologjik të infeksioneve urinare janë:

  1. E. Coli është përgjegjës për 75-90% të rasteve
  2. Staphylococcus saprophyticus për 5-15%
  3. Speciet e Klebsiella, Proteus, Enterococcus dhe organizmat e tjerë për 5-10%.

Në faktorët e riskut për rastet e pakomplikuara të cistiteve dhe pielonefriteve janë:

  • Marrëdhëniet seksuale
  • Përdorimi i spermicidëve
  • Infeksionet urinare të mëparshme
  • Histori e infeksioneve urinare tek të afërmet femra të gjeneratës së parë.

Diabeti mellitus dhe inkontinenca urinare janë gjithashtu faktorë risku për infeksionet urinare.

Shenjat dhe simptomat më të shpeshta që një pacient ka janë:

  1. Nevojë e menjëhershme për të urinuar
  2. Djegie gjatë urinimit
  3. Urinime të shpeshta, në sasi të vogla
  4. Urinë e turbullt
  5. Urinë e cila duket e kuqe, ngjyrë si koka-kola etj.,- që është shenjë e pranisë së gjakut në urinë.
  6. Urinë me aromë të fortë
  7. Dhimbje pelvike

 

FIGURE NE SHQIP

 

Trajtimi i infeksioneve urinare është i bazuar mbi terapinë me antibiotikë, bazuar dhe në shtamin bakterial që i shkakton.

Në studimet e fundit, shkencëtarët kanë gjetur një përdorim të ri të boronicave, i cili është të luftojë infeksionet bakteriale, kryesisht në traktin urinar. Grupi i studiuesve shqyrtoi 160 pacientë, të moshave nga 23 deri në 88 vjeç. Gjysma e këtyre pacientëve mori 2 kapsula me ekstrakt boronice, dy herë në ditë për gjashtë javë. Pjesa tjetër e pacientëve mori placebo. Rezultatet e eksperimentit treguan se kapsulat me ekstrakt boronice ulën rrezik për zhvillimin e infeksioneve urinare me 50%.

Boronicat përmbajnë një substancë të quajtur proakantocianidinë e tipit A, e cila nuk lejon adezionin e kolonive bakteriale në murin e vezikës urinare. Ky fakt ul mundësinë e zhvillimit të një infeksioni urinar.

Lëngu i boronicës, të cilin mund ta blesh në dyqan NUK LUFTON infeksionet e traktit urinar, pasi përqendrimi i kësaj molekule në këto lëngje është shumë i ulët për të penguar adezionin bakterial.

Ky studim interesant tregon që kapsulat me ekstrakt boronice, të cilat kanë përqendrime të larta tëproakantocianidit të tipit A, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në PARANDALIMIN e zhvillimit të infeksioneve urinare.

Referencat:

  • http://www.webmd.com/women/guide/your-guide-urinary-tract-infections
  • http://www.mayoclinic.org/diseases-conditions/urinary-tract-infection/basics/symptoms/con-20037892
  • http://www.medicalnewstoday.com/articles/263426.php
  • http://www.nejm.org/doi/full/10.1056/NEJMcp1104429
  • Imazh i adaptuar nga: http://www.thestonerscookbook.com/wp-content/uploads/2015/03/UTI.jpg
  • Imazh i adaptuar nga: http://www.driscolls.com/sites/default/files/styles/rounded_generic_header/public/Organic%20Header.jpg?itok=ZXNE2KhW