Dhënia e një përcaktimi të saktë mbi dhimbjen është diçka e vështirë. Dhimbja është një mekanizëm shumë i rëndësishëm mbrojtës për organizmin tonë, ajo shërben si një “kambanë alarmi” që tregon për një dëmtim të mundshëm. Një përkufizim i mire pranuar gjerësisht mbi dhimbjen është ai i hartuar nga Shoqata Ndërkombëtarë e Studimit të Dhimbjes (IASP) dhe e pranuar gjithashtu nga Shoqata Amerikane e Dhimbjes dhe nga OBSH: “Dhimbja është një përjetim emocional dhe ndjesor i pakëndshëm i lidhur me një dëmtim aktual ose të mundshëm indore”.

Transmetimi i dhimbjes nis kur indi dëmtohet pasi është ekspozuar kundrejt një stresi:

  1. Kimik
  2. Mekanik
  3. Termal

Pas dëmtimit indor ata që aktivizohen janë receptorët e dhimbjes, të quajtur ndryshe nociceptoret.

syn

Pavarësisht faktit që dhimbja është një mekanizëm mbrojtës për pacientin, ajo shndërrohet në një fenomen të bezdisshëm, që e mundon pacientin dhe shpesh herë e dizabiliton atë nga aktiviteti i përditshëm.

“Trajtimi” i dhimbjes bëhet nëpërmjet një grupi barnash që quhen analgjezike.

Klasa më potente e këtij grupi barnash janë Opiatet. Këto barna veprojnë drejtpërdrejtë mbi receptorët μ. Përdorimi kronik i këtyre barnave apo përdorimi mbi dozat terapeutike jep efekte te padëshiruara: frenim i qendrës së frymëmarrjes (depresion respirator), nausea, të vjella, konstipacion, hipotension, retension urinar, por një nga problemet më madhore të përdorimit të tyre është se këto barna krijojnë varësi të madhe.

Organizmi ynë prodhon një grup substancash të quajtura opiatet endogjene. Keto opiate, apo ndryshe endomorfina, ndikojnë në rregullimin dhe balancimin e dhimbjes.

Endomorfinat janë tetrapetide dhe ndahen në 2 nëngrupe kryesore: endomorfinat-1 dhe endomorfina-2. Për shumë vite me radhe nuk ka qene e mundur prodhimi laboratorik i këtyre substancave. Kjo kryesisht për faktin se këto substanca kanë strukture lineare e për pasoje janë shumë jo te qëndrueshme.

Në një studim të fundit një grup studiuesish nga Universiteti Tulane arriti të prodhonte variante të endomorfinave. Këto variante të endomorfinave kanë një stabilitet më të madh strukturor dhe treten më me lehtësi fale strukturës së tyre në forme unaze. Në eksperimentin me minj ku u testuan keto barna u pa që minjtë nuk patën probleme me respiracionin dhe gjithashtu u vu re që patën efekte antinociceptive edhe tek minjtë që tregonin një tolerance ndaj morfinës.

Grupi i shkencëtarëve arriti në përfundimin që për të njëjtin efekt antinocicepsioni, duke përdorur doza të njëjta me morfinën keto barna:

  1. Reduktuan efektin e depresionit respirator
  2. Reduktuan problemet e koordinimit të lëvizjes
  3. Reduktuan tolerancën farmakologjike dhe hiperalgjezine

Këto rezultate sugjerojnë që ky grup barnash mund të jetë zbulim shumë i rëndësishëm për trajtimin e pacienteve që vuajnë nga dhimbje të mëdha dhe persistente, por janë të nevojshme studime të mëtejshme për të testuar nëse japin efekte te padëshiruara.

REFERENCAT:

  • http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/10676444
  • https://en.wikipedia.org/wiki/Endomorphin
  • http://www.sciencedirect.com/science/article/pii/S0028390815302203
  • http://valleypatriot.com/wp-content/uploads/2015/08/opioid.jpg
  • Imazhi i adoptuar nga: http://www.molekulare-physiologie.de/images/syn.gif.